TemA TV/ Meta mbledh ministrat e tij: Ne qeveria më e korruptuar? Berisha ka nevojë për pushime malore (VIDEO)
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mblodhi në selinë e kësaj partie ministrat e tij. Në fakt nga pesë të tillë, vetëm dy ishin të pranishëm në takimin me Metën.
Pas takimit, Meta foli për mediat, duke theksuar se mbështet qeverinë e re dhe angazhimet e saj.
Shpreh mbështetjen time më të plotë për qeverinë e re dhe angazhimet e saj, do jetë një qeveri që do lerë gjurmë në modernizimin e vendit, në përmirësimin e qeverisjes, në efikasitetin e realizimit të reformave. Kjo qeveri do sjellë një politikë të re dhe emancipuese, më humane, një politike më integruese. Sot ditë pune u takuam me përfaqësues të ndryshëm të LSI, disa janë pjesë e kabinetit, LSI vazhdon angazhimet e saj edhe pse është një periudhë pushimesh, të gjithë janë në punë, tha Meta.
Kryetari i LSI tha se duhet bërë transparenca e plotë e financave publike, që sipas tij kanë degraduar në mënyrë dramatike.
Madje Meta tha se LSI nuk ka marrë katër ministritë që kishte më parë, për hir të transparencës.
Kreu i LSI-së bëri me dije se qeveria e re do bëjë transparencën Financat publike kanë degraduar në mënyrë dramatike, sidomos gjatë muajve para fushatës elektorale vetëm në funksion të kësaj fushate, por jam i bindur se publikut do ti jepet një transparencë e plotë e situatës aktuale financiare në vend dhe se qeveria e ardhshme do dijë të përballojë me sukses këtë situatë dhe të vijojë me përmbushjen e objektivave të saj qeverisëse për 4 vitet e ardhshme, tha ai.
Deklaratave të kryeministrit në detyrë Berisha, se qeveria e re ka ministrat më të korruptuar që ka pasur ndonjëherë vendi, Meta iu përgjigj, Berisha ka nevojë për pushime malore, ato janë me relaksuese, edhe unë vetë bëra disa.
Meta shprehu keqardhjen për akuzat se PS-LSI do të bëjë spastrime në administratë, ndërsa shtoi se shembull i këtyre spastrimeve është pikërisht PD.
Sa për spastrimet, është për të ardhur keq që Berisha përdor një gjuhë të vjetër, PD është rasti më shembullor i spastrimeve, apo edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës pasi i dhamë fund koalicionit PD-LSI. Mendojmë që vlerësimi është dhënë me votë për çdo qëndrim të padrejtë dhe hakmarrës. Ne do forcojmë kapacitetet e administratës, respektojmë ligjin e nëpunësit civil, do ruajmë nivelin e ekspertizës në administratë. Do ketë reforma për një administratë më të efektshme. Është për të ardhur keq që ata flasin për qeverinë sikur ajo ka filluar punë që më 23 qershor, kjo nuk ju rrit besueshmërinë dhe seriozitetin, nuk i bën të reflektojnë arsyet e vërteta të humbjes së tyre, ka nevojë për opozitë konstruktive ashtu siç kishte nevojë për një qeveri të re, tha Meta më tej./ep