E Shtunë, 31 Tetor 2026

TemA TV/ Olldashi premton shkërmoqjen dhe rrëzimin e Ramës, Basha mbrojtjen e të pushuarve (VIDEO)

olldDy kandidatët për kreun e PD-së, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha, kanë vijuar takimet e tyre me militantët e PD-së. Olldashi ka qenë në Vlorë, Sarandë dhe Delvinë, ku ka premtuar shkërmoqjen dhe rrëzimin e Edi Ramës.

Partia Demokratike ka të gjithë potencialin profesional, politik, intelektual për tu përballur me kundërshtarin dhe për ta shkërmoqur. Ne duhet të kuptojmë që detyra jonë, nuk është që të presim që Edi Rama të bjerë, detyra jonë është që ta rrëzojmë Edi Ramën, një ditë e më parë, theksoi Olldashi.

Për Olldashin kjo arrihet falë një aleance me qytetarët që preken nga mashtrimet e Edi Ramës dhe mazhorancës së majtë.

Ne, këtë duhet ta kthejmë në potencial opozitar, duhet të trokasim në çdo derë biznesmeni të vogël dhe ti themi zotëri të gënjeu, hajde me ne në opozitë. Rrëzoi premtimin për shëndetësinë falas, duhet ti drejtohemi të gjithë atyre që e besuan këtë premtim dhe ti themi zotëri ju gënjeu, hajdeni me ne në opozitë. Duhet tu drejtohemi të gjithë atyre që i mashtroi për legalizimet dhe tu themi, zotërinj ju gënjeu. Pa ardhur akoma në pushtet, nuk nisi me legalizimet, por nisi me shkatërrimet, ejani me ne në opozitë, tha Olldashi.

Basha nga ana tjetër ka qenë në Korçë, Librazhd dhe Pogradec.

Basha tha se të bashkuar demokratët mund të rrëzojnë Edi Ramën dhe të rikthejnë Partinë Demokratike në udhëheqje të Shqipërisë.

Si mund të respektojmë problemet, hallet, kontributet e shqiptarëve, nëse nuk njohim dhe vlerësojmë meritat e njeri tjetrit në mënyrë të barabartë, proporcionale, të drejtë dhe transparente. Bazuar në vlerat dhe përvojat tona më të mira, të bashkohemi për tu përballur edhe njëherë me Edi Ramën, për ta mundur, për ta çuar në opozitë dhe për të rikthyer PD, aty ku e kërkon destinacioni ynë historik, aty ku e presin shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve të ndershëm, në udhëheqje të ëndrrës së Shqipërisë së zhvilluar evropiane, theksoi Basha.

Basha sulmoi mazhorancën e majtë për mentalitet anti-shtet, ndërsa theksoi se nën drejtimin e tij, Partia Demokratike do të jetë gati që në javën e parë, për të ngritur mekanizmat e nevojshëm për të mbrojtur çdo punonjës të administratës nga largimi antiligjor nga puna.

Partia Demokratike është gati që sot, të përballet në çdo rast abuzimi me pushtetin dhe goditje të administratës publike dhe shërbimit civil, në mënyrë që për çdo rast tu ballafaqojmë atyre faturën ligjore dhe detyrimin për ti rikthyer në punë, faturën financiare dhe detyrimin për ti dëmshpërblyer moralisht dhe materialisht dhe faturën morale dhe politike, për çdo akt abuzimi mbi vlerën e krijuar shoqërore të administratës publike dhe shërbimit civil në Shqipëri, shtoi ai./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›