TemA TV/ PBDNJ reagon për ndryshimet në KQZ: Zgjedhjet janë në rrezik (VIDEO)
PBDNJ, partia e drejtuar nga Vangjel Dule paralajmëron se zgjedhjet e 23 qershorit po vihen në rrezik serioz.
Precedenti më i dhunshëm i ndërmarrë nga mazhoranca deklaroi PBDNJ, është tentativa për ndërprerjen para kohe të mandatit të një anëtari të KQZ-së, zgjedhur para pak muajsh.
Ne e konsiderojmë këtë nismë si antikushtetuese, antiligjore dhe si precedent të rrezikshëm për tensionimin e situatës parazgjedhore në vend, tha përfaqësuesi i partisë së minoritetit grek, Ligoraq Karamelo.
Në bazë të Kodit Zgjedhor, ligji parashikon vetëm propozime të partive politike për anëtarë të KQZ-së, në momentin kur ajo institucionalizohet, duke iu përmbajtur njëherazi konfiguracionit politik maxhorancë-opozitë në atë çast, të cilët pasi votohen e bëjnë betimin në parlament, janë të pavarur dhe në veprimtarinë e tyre nuk udhëhiqen politikisht, por nga zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjit, nënvizoi Karamelo.
Për të mbështetur edhe juridikisht argumentin se PD po vepron në kushtet të arbitraritetit, PBDNJ ngre pyetjen retorike: Afati i mandatit të anëtarit të KQZ-së është gjashtëvjeçar,kështu qe sipas kësaj logjike,ne rast se pas zgjedhjeve te 23 qershorit ndryshon raporti maxhorancë-opozitë duhet ndryshuar përsëri KQZ-së dhe kryetari i saj?!