E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ PD: Me emërimin e Tahirit në Ministrinë e Brendshme, do rikthehet frikshëm krimi (VIDEO)

boguPartia Demokratike ka sulmuar me anë të deputetit Gerti Bogdani, ministrin e ri të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Bogdani është shprehur gjatë një deklaratë për shtyp, se me emërimin e Tahirit në krye të kësaj ministrie, do të rikthehet frikshëm krimi.

Kjo, pasi sipas tij, Tahiri ka lidhje me kriminelë të rrezikshëm.

Qeveria e re e shpallur nga Edi Rama nuk do mund ti shërbejë qytetarëve shqiptarë, sepse anëtari i skuadrës, përgjegjës për rendin dhe sigurinë, në më shumë se një rast ka qenë përgjegjës për shkatërrimin dhe destabilizimin e tij.

Nuk do mund ti shërbejë qyteterëve shqiptarë sepse është person, i cili në asnjë moment nuk u distancua apo kërkoi falje për kapjen në flagrancë në trafik të ilaçeve dhe as për evazionin fiskal të prindërve të tij.

Për vite me radhë Shqipëria e luftoi krimin e organizuar dhe asetet e tij dhe për arritjet e kësaj lufte iu akordua ftesa dhe anëtarësimi në NATO dhe shqiptarëve iu hoqën vizat.

Me emërimin e Saimir Tahirit si ministër i Brendshëm, jo vetëm zhbëhen këto arritje, për më tepër, përfaqësuesit e krimit rikthehen kërcënueshëm tashmë të veshur me imunitet parlamentar dhe me ndërlidhësin e tyre në qeveri, jo me pak se në postin e ministrit të Brendshëm; njeriun e lidhjeve të shkurtra me përfaqësues të njohur për INTERPOL-in dhe EUROPOL-in të trafiqeve, pastrimit të parave dhe atentateve ndaj uniformave të Policisë së Shtetit. Lidhje që e bëjnë të vetmin ministër të Brendshëm në historinë e Shqipërisë dhe në mbarë Ballkanin pronar të një skafi.

Emërimi i Sajmir Tahirit është goditja më domethënëse që i bëhet shtetit ligjor dhe institucioneve të zbatimit te ligjit, shpërblim i drejtpërdrejtë i Edi Ramës për rolin e krimit në deformimin e votës në 23 qershor.

Çdo qytetar shqiptar duhet ta dijë se Partia Demokratike do të mbrojë me vendosmërinë më të madhe institucionet e zbatimit të ligjit dhe shtetit në tërësi, nga çdo lloj revanshi anti institucional dhe me lidhje të qarta kriminale, tha Bogdani gjatë deklaratës së tij./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›