TemA TV/ PS: Turizmi, dështim tjetër i Berishës. Të ardhurat në rënie, nismat qesharake (VIDEO)
Partia Socialiste ka vijuar që të deklarojë se cilat janë 100 dështimet e qeverisjes së Sali Berishës.
74 ditë nga zgjedhjet, PS thotë se Berisha ka dështuar edhe sa i përket turizmit, pavarësisht se kryeministri e ka si kalë të fortë beteje.
Deputeti Auron Tare tha se të ardhurat nga turizmi në vitin 2012 janë në rënie.
Në vitin 2012, të ardhurat nga turizmi krahasuar me vitin 2011 ranë me 169 milionë dollarë apo, e thënë, ndryshe me 10,3 %. Rënie me përqindje dyshifrore që flet për pavërtetësinë e deklarimeve të përsëritura të Sali Berishës, sipas të cilit, vit pas viti në Shqipëri turistët dhe të ardhurat nga ky sektor shtohen.
Gjithnjë sipas këtyre të dhënave, të cilat nuk janë tonat por janë të dhëna zyrtare të Sali Berishës, në krahasim me 2009, të ardhurat nga turizmi në 2012 janë pakësuar me 365 milionë dollarë, pra me 20%, tha Tare.
Ndërkohë që Sali Berisha flet për sukseset në turizëm, rrugët nacionale dhe ato që të çojnë në breg, janë jo vetëm të dëmtuara, por edhe të mbushura në anët e tyre me qese plastike e me plehra (inerte, goma, hekura, makina të prishura).
E sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, ujërat e zeza derdhen sot nëpër lumenj e në brigjet e deteve, pa kaluar në asnjë lloj faze përpunimi duke rrezikuar jo vetëm zhvillimin e turizmit, por edhe shëndetin e banorëve dhe vizitorëve të këtyre zonave.
Shfrytëzimi pa kriter dhe shterues i burimeve natyrore, si dhe dëmtimi i rëndë i trashëgimisë kulturore, po i heqin turizmit bazën mbi të cilën duhet të mbështetet. Shembulli më i dukshëm dhe më i prekshëm nga shqiptarët është rasti i Krujës, një prej vendeve më të rëndësishme të trashëgimisë europiane, sot, e rrethuar nga fabrikat e çimentos, tymi i gomave të djegura dhe dëmtimi i pakthyeshëm i peizazhit historik, vijoi deputeti socialist.
Tare tha se buxheti për turizmin ka rënë më shumë se tre herë në krahasim me vitin 2010.
Sa i përket turizmit malor, Tare tha se Berisha është krenuar me 40 hanet, që nuk gjenden se kui janë.
Kurse lidhur me prezantimin e turizmit, Tare tha se ai bëhet njësoj si para viteve 90.
Më pas Tare ironizoi me shifrat e qeverisë për turizmin.
Ministria e Turizmit ka deklaruar se vendi ynë ka një kapacitet prej 36 mijë shtretër. Po kjo Ministri, ka deklaruar se vetëm në vitin e kaluar kanë ardhur në Shqipëri 3 milionë e 600 mijë vizitorë me një mesatare qëndrimi prej 4 netësh. Me një llogaritje të thjeshtë, sipas këtyre shifrave kemi mbi 10 vetë për çdo shtrat për një natë, qesharake, tha Tare./ep