TemA TV/ Policia hidhet në aksion, bllokon ndërtimet pa leje (VIDEO)
Në fushatë kryeministri Edi Rama premtoi se në vend do të ketë një polici të vetme, Policinë e Shtetit, që nuk do dublohet nga dhjetëra polici të tjera.
Dhe në fakt duket se ajo ka nisur të funksionojë si e tillë.
Pasi njësitë vendore kanë dështuar në ndalimin e ndërtimeve pa leje, situatën e ka marrë në dorë Policia e Shtetit, që ka vendosur sekuestro ndaj tyre.
Kështu ka ndodhur edhe me këtë ndërtim pa leje në katin e fundit të një pallati në zonën e Selitës, denoncuar nga gazeta TemA.
Policia ka bllokuar shtesën pasi nuk pati ndërhyrje.
Kështu ka ndodhur edhe me ndërtimet në oborrin e Fakultetit Ekonomik në Tiranë.
Policia jo vetëm që ka bllokuar ndërtimet, por ka nisur edhe procedim penal ndaj pronarëve.
Aksioni për të prishur ndërtimet pa leje, është shtrirë në disa qytete të vendit.
Ai është iniciuar nga Policia e Shtetit dhe synon identifikimin e ndërtimeve pa leje, pezullimin e punimeve në to si dhe nisjen e procedurave për ndjekjen penale të kompanive ndërtuese, që kanë shkelur ligjin.
Janë marrë masa edhe ndaj zyrtarëve, që kanë pasur përgjegjësi direkte në lejimin e këtyre ndërtimeve.
8 janë shtetasit që po ndiqen penalisht në gjendje të lirë, nën akuzën e kryerjes së ndërtimeve pa leje këto javë të fundit, kryesisht në Tiranë.
Ndërsa në fshatin Zejmen të Lezhës, është proceduar ish-sekretari i Këshillit të Komunës për falsifikimin e dokumenteve të një toke.
Në Bashkinë e Fierit është kallëzuar, kryeinspektori i Ndërtimores.
Në Lukovë të Sarandës, janë paditur punonjësit e administratës, për një ndërtim pa leje në fshatin Piqerës.
Në faqen online, stop rrënimit.com, e krijuar nga PS-ja për të bërë publike ndërtimet pa leje, numri i denoncimeve është 865 objekte.
Ndërkohë, të denoncuar në prokurori në gjithë vendin janë 233 ndërtime pa leje.
Por vetëm 10 % e tyre janë kallëzime nga inspektoratet, pasi zëri më i fortë denoncues janë vetë qytetarët./ep