TemA TV/ Prefekti: Është mirë që nëpunësit e LSI të ikin vetë, ose do i heq unë (VIDEO)
Martesa mes PD-së dhe LSI-së u prish. Por pasojat e divorcit janë të dukshme tek gjithë të punësuarit e LSI-së së Ilir Metës, (që zënë gati 20 % të nëpunësve) një parti e ndërtuar kryesisht mbi bazën e militantëve pragmatistë.
Atyre u është lënë pak kohë për të dhënë dorëheqjen nga detyrat që mbajnë.
I pari i vetëlarguar është Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës së Vlorës, Kasem Cenaj, njëherësh edhe sekretar politik në LSI-në e Vlorës. Ai dha dorëheqjen nga posti zyrtar që mbante në prefekturë për mbi 30 muaj.
Por Cenaj u kërkoi drejtuesve që mbajnë poste politike në institucionet e qeverisë në rang lokal që mos të japin dorëheqjen, por të vazhdojnë punën e tyre normalisht në drejtimin e institucioneve që menaxhon LSI-ja në Vlorë.
Në një shtrëngim duarsh përpara mediave, midis Prefektit e Sekretarit të Prefekturës tashmë të dorëhequr, është lënë të kuptohet që aleancat këtu morën fund e tashmë u kthyen thjesht në kundërshtarë politikë.
Prefekti Eduart Velçani u shpreh se maxhoranca do të vazhdoj programin e saj të spastrimit të administratës nga njerëzit e LSI-së.
Dosja që do të konsumojë kohën kryesore të Prefektit, tashmë është lista e drejtuesve politikë të LSI-së, që u është lënë pak kohë për të dhënë dorëheqjen, në të kundërt Prefekti do t’i shkarkojë vetë të gjithë,
Është e pamoralshme që drejtuesit e institucioneve që drejtohen nga LSI-ja të vazhdojnë të qëndrojnë në postet drejtuese. Nëse ata drejtues nuk dorëhiqen vetë unë do të zbatoj programin e PD-së duke i shkarkuar nga detyra të gjithë, tha prerë prefekti i qarkut bregdetar.
Ndërkohë Pëllumb Pipero, që ka mbajtur postin e Drejtorit të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, ka preferuar ta bëjë dorëheqjen përmes një letre të hapur.
Ai pohoi se largohet pas zhvillimeve të fundit politike dhe daljes se LSI-se nga koalicioni qeverisës. Janë të paktën 10 zyrtare të tjerë nga Ministria e Shëndetësisë që po largohen, duke nisur nga stafi i ngushtë politik e deri te drejtorët e disa drejtorive.
Ndërkohë largimet pritet të jenë më të mëdha në QSUT dhe spitalet e tjera të vendit. Por ndërsa në rrethe lëvizjet janë në dorë të ministrit të ri, shkarkimi dhe emërimi i drejtorit të QSUT-se është kompetence e kryeministrit Berisha.
Në valën e lëvizjeve nga puna është përfshirë edhe Ministria e Arsimit dhe jo vetëm në postin e zv/ministres apo drejtorëve, por edhe në rrethe. Dhjetëra drejtore shkollash dhe drejtorish arsimore vijnë nga radhët e LSI-së dhe pritet të largohen.
Por transferimet mund të zbresin deri në rang mësuesish, sidomos për ata që janë emëruar në këto vitet e fundit, si mbështetës të LSI.
Ndërkohë ne pikëpyetje është edhe drejtimi i KESH, ku përveç ndryshimeve në politike, largimi i drejtorit të përgjithshëm mund të vijë edhe si pasojë e problematikes qe është krijuar nga reshjet e ditëve të fundit dhe dëmet nga hapja e portave të hidrocentraleve.
Mësohet se 45 punonjës të KESH-it kanë ardhur nga radhët e LSI-së dhe vendi i tyre i punës mbetet i rrezikuar./ep