TemA TV/ Hapen portat e hidrocentraleve dhe përmbytet sërish Nënshkodra (VIDEO)
Përmbytjet në zonën e Nënshkodrës nuk ndodhin më një herë në 100 vjet, ose siç thotë Sali Berisha sa herë që del hëna blu, por sa herë që KESH hap portat e hidrocentraleve.
Nga shkarkimet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës janë përmbytur rreth 8 mijë ha tokë në zonën e Nënshkodrës.
Dalja nga shtrati i lumit të Bunës ka bërë që sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore të jenë nën ujë si dhe të izolohen banesa në komunën e Dajçit e të Bregut të Bunës. Ndërsa aksi rrugor që lidh këto komuna me Shkodrën është i bllokuar për shkak se niveli i ujit i kalon 1.5 metra. Raportimet nga zona bëjnë të ditur se e vetmja mundësi për tu futur në këtë komuna, është me mjete lundruese.
Fakti që zona e Nënshkodrës është pothuajse e izoluar, pohohet dhe nga drejtori i Drejtorisë së Emergjencave në Prefekturën e Shkodrës, Pëllumb Dani.
Sipas tij, gjatë 48 orëve të fundit nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit është shkarkuar ujë me intensitet të lartë nga 900 m3/sek në 1200m3/sek dhe për pasojë është rritur sipërfaqja e zonës së përmbytur në të gjithë zonën e Nënshkodrës.
Sipas Danit, 707 banesa në të gjithë rrethin e Shkodrës janë izoluar nga uji dhe 28 shtëpi janë përmbytur krejtësisht.
Situata është më problematike në komunat si Ana e Malit, ku fshatrat Obot e Goricë janë të izoluar nga pjesa tjetër e vendit.
Probleme ka edhe në komunën e Bërdicës ku në Trush ka nën ujë mbi 800 ha tokë bujqësore, ndërsa uji ka izoluar disa banesa në fshatin e Trushit të Poshtëm.
Një nga zonat më problematike përsa i përket përmbytjeve, duket se është edhe komuna e Dajçit. Në fshatin e Shirqit uji ka përmbytur pothuajse gjithë tokën bujqësore duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme banorëve të zonës.
Por përveç dëmeve në bujqësi, probleme të konsiderueshme ka edhe në blegtori, ku ka mungesë të ushqimit për gjënë e gjallë. Nga ana tjetër banorët deklarojnë se gjatë kësaj situate të rëndë ku gjithçka është nën ujë, askush nuk është kujtuar për to.
Ndërsa Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka deklaruar se do vazhdojë të mbajë të hapura portat e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të cilat për shkak të tejmbushjes dhe reshjeve masive të ditëve të fundit janë hapur prej ditës së shtunë.
Sipas të dhënave më të fundit të KESH, në liqenin e Fierzës, janë mbledhur rezerva ujore në nivelin alarmant të 296.41 metrave mbi nivelin e detit.
KESH deklaron se prurjet në basenin e Fierzës janë në nivelin 640 m3/s, ndërsa shkarkimet kanë arritur në 200 m3 për sekondë. Hidrocentrali po punon me 4 agregatë dhe prodhon 455 MW energji. Ndërsa në hidrocentralin e Komanit, sipas KESH-it, niveli i rezervës ujore ka arritur në 173.19 m. Prurjet nga Fierza janë 886 m3 për sekondë, ndërsa prurjet anësore 236 m3 për sekondë dhe shkarkimet nga porta kanë arritur në nivelin 300 m3 për sekondë. Edhe hidrocentrali i Komanit po punon me 4 agregatë, ndërsa prodhimi është 500 MW.
Ndërsa në Vaun e Dejës prurjet e lumenjve kanë arritur në kuotën e 74.24 metrave dhe po punohet me 5 agregatë duke prodhuar 230 MË.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare thotë se po monitoron situatën, ndërsa sqaron se shkarkimet janë të detyrueshme dhe pse kanë çuar në përmbytjen e mbi 6 mijë ha tokë bujqësore në zonën e Nënshkodrës e fshatra të tërë të izoluar nga uji./l.ç