E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Rama ironizon me rrugët e ndërtuara: Shqipëria ka mbetur rrugëve, prandaj Berisha duhet të hapë rrugën (VIDEO)

ramaKreu socialist, Edi Rama, e ka cilësuar si një retorikë dhe propagandë boshe ndërtimin e 10 400 kilometrave rrugë, deklaratën e ripërsëritur të kryeministrit Berisha. Për këtë, ka thënë Rama, mjafton të shohësh rrugën që të çon nga Tirana në Dajt.

“10 400 km rrugë, thotë, kemi bërë. Rruga nacionale që lidh kryeqytetin me Parkun Kombëtar të Dajtit është në kushte skandaloze. Në këtë rrugë zvarriten dhjetëra mijëra qytetarë, qoftë ata që banojnë në këtë zonë, qoftë ata që kalojnë për të shkuar në Dajt.

Rruga që të çon drejt Parkut Kombetar të Dajtit, nuk është një makth vetëm për qytetarët që shkojnë për ta vizituar atë, por veçanërisht për banorët e zonës, duke treguar edhe një herë mashtrimin e madh me rrugët e Qeverisë, që duhet të hapë rrugë në 23 qershor”, tha Rama, që kishte shkuar në daljen lindore të Tiranës, ku nis rruga për në Parkun Kombëtar të Dajtit, për të treguar situatën reale të rrugëve të vendit.

“Kjo është shprehja më kuptimplotë e faktit se sa rrugë janë ndërtuar në të vërtetë dhe se ku ka kanë shkuar paratë e popullit shqiptar. Kjo rrugë dhe shumë rrugë të tjera tregojnë për realitetin. Shqipëria ka mbetur rrugëve, prandaj më 23 qershor këta duhet të hapin rrugën“, u shpreh më tej kryesocialist Rama./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›