TemA TV/ Rama propozon projekt- rezolutë alternative për çështjen çame (VIDEO)
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli në një konferencë për shtyp për të folur për çështjen çame.
Fillimisht Rama denoncoi shfaqjet në Komisionin e Jashtëm, ku përfaqësuesit e PDIU u përplasën verbalisht me kryetarin e PBDNJ.
Rama tha se Partia Socialiste e ka të përfshirë në programin e saj çështjen çame.
Më tej ai propozoi edhe një projekt- rezolutë alternative për këtë çështje. Rama foli me tone të kujdesshme, ndërsa tha se kjo është një çështje politike, që duhet adresuar në përputhje me normat e të drejtës.
Propozojmë projekt- rezolutë alternative për çështjen çame, që nuk mund të mbetet çështje e paadresuar. E kemi marrë përsipër ta adresojmë në program, ka një rrugë për ta adresuar, ku forcat politike të gjejnë paqen e plotë dhe ndërveprimi mes tyre.
Duke u mbështetur në parimet bazë që udhëheqin vizionin tonë për një Shqipëri evropiane, normat e së drejtës ndërkombëtare, parandalimin e konflikteve, duke konsideruar të paçmuar mbështetjen e Greqisë në proceset e integrimit, marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, dhe bashkëpunimet mes nesh, duke njohur rëndësinë e konsolidimit të mëtejshëm, duke konsideruar çështjen çame si të patrajtuar në kuadër të çështjes së shqiptarëve në Ballkan, në mbështetje të traktatit të fqinjësisë së mirë, ne përfaqësuesit e popullit në Kuvend e konsiderojmë çështjen çame një çështje politike, që duhet adresuar në përputhje me normat e së drejtës, i kërkojmë kryeministrit ta përfshijë si çështje politike në marrëdhëniet diplomatike me Greqinë dhe të raportojë dy herë në vit për ecurinë e kësaj çështje. Shpresojmë që me këtë draft të kemi vënë një bazë të arsyeshme të gjitha forcat politike, te gjejnë te kjo kornizë arsyet për ta nxjerrë këtë çështje nga terri i konfliktit dhe për ta adresuar me dinjitet dhe mënyrë evropiane mes interesash evropianë, tha Rama./ep