Temperatura të “Fazës portokalli”, Maqedonia e Veriut shkurton oraret e punës

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në Maqedoninë e Veriut njoftoi se i gjithë territori i shtetit fqinj do të preket nga temperatura të “fazës së portokallit” deri në fundjavë.
Për shkak të temperaturave të larta Qeveria rekomandoi lirimin nga puna të grupeve të rrezikuara, siç janë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç deri ditën e diel.
Po ashtu në çerdhe nuk duhet të ketë aktivitete fizike për fëmijët në ambientet e hapura nga ora 11:00 deri në ora 17:00, kurse njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Punë Sociale duhet të ofrojnë ndihmë për të moshuarit e vetmuar dhe të pastrehët, thuhet në njoftimin e organit qendror më të lartë të Maqedonisë së Veriut .
Qeveria maqedonase rekomandoi që edhe sektori privat të organizojë orarin e punës me qëllim që të mbrojë punëtorët nga dielli gjatë mesditës.
Ndërsa, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftoi për shtimin e kontrolleve nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Gazetar Artur Mata
/RTSH/