E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Qindra njerëz u mblodhën në Sarajevë, për të nderuar viktimat e masakrës së Srebrenicës

Qindra njerëz u rreshtuan në rrugën kryesore të kryeqytetit boshnjak të dielën, ndërsa një kamion me 30 arkivole kalonte rrugës për në Srebrenicë, ku viktimat e sapoidentifikuara të gjenocidit të vetëm të njohur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, do të varrosen në përvjetorin e 28- të të masakrës.

Ndërsa kamioni, i mbuluar me një flamur të madh boshnjak, ndaloi për pak kohë përpara ndërtesës presidenciale të vendit, anëtarët e turmës hidhnin lule në kanavacën që mbulonte eshtrat e viktimave të gjetura në varre masive dhe të identifikuara përmes analizës së ADN-së.

“Është jashtëzakonisht e trishtueshme që qindra viktima ende nuk janë gjetur dhe se disa njerëz ende e mohojnë gjenocidin (në Srebrenicë),”- tha Ramiza Gandic, e cila erdhi për të bërë nderimet e saj.

Viktimat e sapoidentifikuara të masakrës së Srebrenicës rivarrosen çdo vit më 11 korrik, ditën kur filloi vrasja në 1995, në një varrezë përkujtimore të madhe dhe gjithnjë në zgjerim jashtë qytetit lindor.

Deri më tani, eshtrat e më shumë se 6600 njerëzve janë gjetur dhe rivarrosur atje.

Vrasjet në Srebrenicë ishin një kreshendo e përgjakshme e luftës së Bosnjës 1992-1995, e cila erdhi pas shpërbërjes së Jugosllavisë, që nxori në pah pasionet nacionaliste dhe ambiciet territorial, gjë që i vendosi serbët e Bosnjës kundër dy popullsive të tjera kryesore etnike të vendit – kroatëve dhe boshnjakëve.

Në korrik 1995, serbët e Bosnjës pushtuan një strehë të sigurt të mbrojtur nga OKB në Srebrenicë. Ata ndanë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë nga gratë, nënat dhe motrat e tyre, i ndoqën nëpër pyje rreth qytetit fatkeq dhe i vranë.

Autorët pastaj futën trupat e viktimave të tyre në varre masive të bëra me ngut, të cilat më vonë i gërmuan me buldozerë, duke i shpërndarë mbetjet midis vendeve të tjera të varrimit për të fshehur provat e krimeve të luftës.

Masakra është shpallur gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe kombëtare. Megjithatë, liderët serbë në Bosnje dhe Serbinë fqinje vazhdojnë ta minimizojnë apo edhe ta mohojnë atë, pavarësisht provave të pakundërshtueshme për atë që ndodhi. Apnews

/rtsh.al/

 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›