E Diel, 1 Nëntor 2026

Temperaturat e larta, ekipet shëndetësore shërbime në banesë për personat në nevojë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Ekipet e kujdesit shëndetësor vijojnë të ofrojnë shërbime në banesë për personat që kanë nevojë, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se shërbimi synon të garantojë ndjekje dhe kujdes të vazhdueshëm, me fokus të veçantë te të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata me vështirësi në lëvizje.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale publikoi apelin e një mjekeje e cila u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht personave të moshuar dhe atyre që vuajnë nga tensioni i lartë, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë orëve të pikut të temperaturave.

Sipas saj, pacientët duhet të vijojnë rregullisht trajtimin e përshkruar nga mjeku, ndërsa paralelisht duhet të shmangin ekspozimin ndaj temperaturave të larta.

“Duhet të keni parasysh edhe evitimin e pikut të vapës, nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Mundësisht të rrini në shtëpi, të qetësoheni, të konsumoni sa më shumë ujë, të hidratoheni sa më shumë dhe të stresoheni sa më pak”, këshilloi mjekja.

Ajo thekson gjithashtu se personat që kanë shqetësime shëndetësore duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë, duke kontaktuar ekipet e kujdesit shëndetësor ose shërbimin e urgjencës.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›