Temperaturat luajnë vigani-shkurtabiqi

TIRANË - Duket se java në vijim do të karakterizohet nga freskia dhe reshjet e shiut. Temperaturat e javës që po lëmë pas konsiderohen nga sinoptikanët si temperaturat më të larta të kësaj vere. Termometri do të njohë luhatje të vazhdueshme gjatë javës në vazhdim, ku do të ndihet një rënie e temperaturës rreth 1-2 gradë celsius, e po kështu vendi do të shoqërohet me reshje lokale. Sipas specialistëve, kjo luhatje e vazhdueshme temperaturash ndodh për shkak të efektit serrë, i cili shkaktohet nga mbetjet industriale dhe është në të vërtetë një faktor global, në të cilin çdo njeri luan rolin e tij. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë, faktorët kryesorë në luhatjen e temperaturave janë qarkullimi i atmosferës dhe pozicioni gjeografik i vendit. Sipas meteorologut Vangjel Mustaqi, vendi ynë kohët e fundit ka qenë nën trysninë e një temperature të lartë, për shkak të këtyre faktorëve. “Si pasojë e ndikimeve të këtyre faktorëve klimaterikë, temperaturat pësojnë luhatje nga viti në vit, duke krijuar një nivel paqëndrueshmërie. Për shembull, nëse këtë vit temperatura mesatare e Tiranës është 15 ose 16 gradë, nuk do të thotë që vitin tjetër të ketë të njëjtën temperaturë”, sqaroi meteorologu Vangjel Mustaqi. Ai shtoi se java në vazhdim do të jetë nën ndikimin e temperaturave më të freskëta, të cilat do të pësojnë një ulje 1-2 gradë celsius, si dhe do të shoqërohet me reshje shiu. Kjo ndodh në varësi të koherencës në të cilin ndodh qarkullimi atmosferik. Në luhatjen e temperaturave ndikon padyshim edhe ajri i lagësht, që në përgjithësi i ngre temperaturat. Kur ajri i lagësht bie në kontakt me temperatura të larta, krijohet ajo që quhet zagushi apo ajër i rëndë, i cili krijon vështirësi në frymëmarrje. Ky lloj moti me temperatura të larta dhe të paqëndrueshme nuk është faktor vetëm për vendin tonë, por edhe për fqinjët tanë ballkanikë, si Greqia apo Maqedonia.