Kush është blerësi izraelit i 3200 Katjushkave

TIRANË - Afera e shitjes së 3200 predhave të kalibrit 107 mm nga ndërmarrja “Meico” përditë e më tepër merr formën e një skandali. Pas Efraim Diveriolit, 22-vjeçarit që mashtroi Pentagonin me kontratën 300 milionë-dollarëshe, një tjetër kompani me origjinë izraelite dyshohet të ketë blerë municione në Shqipëri. Dyshimet e prokurorisë se kjo shitje fsheh brenda saj një aferë korruptive, nuk kanë të bëjnë vetëm me mungesën e kontratës së shitjes që vazhdon të jetë në “kërkim”, por tashmë edhe me zbulimin e identitetit të vërtetë të firmës blerëse, e cila nga disa të dhëna paraprake rezulton të jetë me qendër në Tel Aviv të Izraelit. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë me dije, se nga një mandat shitjeje i sekuestruar në arkivat e kompanisë shtetërore, vërtetohet fakti se në shkurt të këtij viti, firma “Elmo-Tech LTD”, (e cila nga disa kërkime paraprake në internet rezulton të jetë me qendër në Tel Aviv të Izraelit), ka blerë nga ndërmarrja “Meico” rreth 3200 copë predha të kalibrit 107 mm, të quajtura ndryshe “Katjushka”. Prokuroria thotë se nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të bërë të gjithë verifikimet rreth kësaj firme, e cila nëse rezulton të jetë e njëjta me atë që shfaqet në minimalisht dhjetëra e dhjetëra faqe interneti, dhe që ka një aktivitet tërësisht tjetër nga ai i shitblerjes së armëve apo municioneve. Nga një kërkim i realizuar në internet në adresat “www.dmatek.com” dhe “www.elmotech.com” , rezulton se kompania izraelite “Elmo-Tech LTD” është një filial i “Dmatek”, i specializuar në fushën e sistemeve të sigurisë. Në aktivitetin e saj rezulton se firma “Elmo-tech LTD” realizon me të rejat më të fundit të teknologjisë, sisteme sigurie moderne për ruajtjen dhe vëzhgimin në distanca të afërta dhe të largëta të personave apo objekteve të ndryshme dhe me instalimin e sistemeve të brendshme kompjuterike apo të sigurisë. Nga kërkimet rezulton se firma izraelite e ka nisur punën e saj në vitin 1994, duke krijuar bashkëpunime me vendet më të zhvilluara të Evropës. Nga një kërkim i paraprak në internet, rezulton se kjo firmë ka arritur të sigurojë kontrata me Ministritë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës, vetëm në fushën e telekomunikacionit dhe sistemeve të sigurisë, duke aplikuar me teknologji tepër të përparuar, duke pasur minimalisht 20 të tilla.
Nga kërkimi nuk rezulton në asnjë moment që firma izraelite të jetë përfshirë në shitblerje armësh apo municionesh. Përballë këtij fakti, janë të shumta dyshimet e ngritura rreth blerësit të vërtetë dhe destinacionit të saktë që kanë pasur “Katjushkat” shqiptare, të cilat sipas ushtarakëve janë tepër efektive në luftën guerile. Sipas prokurorisë, të gjithë dyshimet e ngritura rreth kësaj çështjeje kryqëzohen në një pikë të vetme: mungesën e kontratës. Dhe, në fakt, përveç një mandat shitjeje, në arkivat e ndërmarrjes shtetërore “Meico” nuk gjendet asnjë dokument tjetër zyrtar që të japë të dhëna rreth firmës që bleu “Katjushkat” nga Shqipëria. Mundësitë e vetme për të zbardhur këtë aferë që brenda saj ngre shumë dyshime, është “zbërthimi” i ish-kreut të “Meico”-s, Ylli Pinari, i cili pak ditë më parë refuzoi të dëshmojë për grupin hetimor, ose marrja e kontakteve me firmën “Elmo-Tech LTD”.
Askush nuk di asgjë
Askush në ndërmarrjen “Meico” nuk di të japë një shpjegim rreth mënyrës apo kontratës me të cilën u shitën 3200 predha të kalibrit 1007 mm. Sipas të dhënave të prokurorisë, rezulton se zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje që duhet të kishin dijeni për përgatitjen dhe lidhjen e kontratës për të realizuar një shitje të tillë, kanë deklaruar se nuk janë në dijeni të këtij fakti. Mungesa e informacionit shfaqet edhe në arkivin e “Meico”-s, ku veç një mandati shitjeje, nuk ekziston asnjë dokument tjetër zyrtar.