Tëmthi, organ i vogël me funksione jetike. Kujdesi i përditshëm ndihmon në ruajtjen e tij

Tëmthi është një nga organet me funksione jetike për tretjen.
Mjekja gastro-hepatologe Erjola Gjika na shpjegon pse është i rëndësishëm dhe si të kujdesemi për të.
“Tëmthi është një fshikëz, e cila mbledh lëngun biliar të prodhuar në mëlçi, i cili duke u derdhur në fillim të zorrës së hollë ndihmon në tretjen dhe përthithjen e ushqimeve nga organizmi i njeriut. Sëmundja tipike që prek fshikëzën e tëmthit është formimi i gurëve në tëmth. Formimi i gurëve ndikohet nga niveli i yndyrave në gjak dhe dietat. Këta gurë, në qoftë se lëvizin, krijojnë një lloj tensionimi të fshikëzës së tëmthit dhe japin krizë, dhimbje,” shpjegon Dr. Gjika.
Si mund të trajtohet dhe çfarë diete duhet të ndjekim?
“Është një mjekim i kombinuar, qoftë medikal, që e japin mjekët gastro-hepatologë, qoftë kirugjikal në rast se vlerësohet nga mjeku kirurg për të bërë eliminimin e fshikëzës ose të gurëve. Ne rekomandojmë që pacientët të përdorin sasi të shtuar të ujit të freskët, ushqime që nuk kanë sasi të tepërt yndyrash shtazore, jo kripë me tepri, por të përdoren fruta e zarzavate dhe racionet të jenë të vogla, të shpërndara në mënyrë të rregullt,” këshillon mjekja.
Me ushqim të shëndetshëm dhe kujdes të vazhdueshëm, tëmthi mund të funksionojë mirë gjatë gjithë jetës.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/