E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tenderi për ushqime në burgje, Vangjeli: Jo konform legjislacionit, ofertat gati sa fondi limit

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli reagoi sot lidhur me tenderin e kryer nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për blerje ushqimesh për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në sistemin e Burgjeve.

Vangjeli paraqiti para medieve dokumentet nga procedura e prokurimit e kryer nga OBP, ndërsa u shpreh se “nuk është hera e parë që PD denoncon ministrin Blendi Gonxhja për shkeljet ligjore gjatë ushtrimit të detyrës”.

“Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sapo mori detyrën, nisi me planifikimin për strategjitë e vjedhjeve të radhës. Në shkurt 2024 kur u krijua shoqëria aksionere në varësi të tij, Operatori i Blerjeve të Përqendruara, Gonxhe nxitoi të emëronte në detyrën e administratores Arlinda Pogan, drejtoreshën e famshme të prokurimeve të përmendur së bashku me vetë Blendi Gonxhen pa hesap në raportet e KLSH-së për performancën gropë të prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Tiranë”, u shpreh Vangjeli.

Sipas saj, “në nëntor 2024, Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi procedurën e kufizuar, mbi kufirin e lartë monetar, për blerje ushqimesh për Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në sistemin e Burgjeve, me fond limit total 26.1 milionë euro, të ndarë në 6 lote, dhe afat të kontratës 48 muaj nga data e nënshkrimit të marrëveshjes kuadër”.

“Autoriteti kontraktor i Blendi Gonxhes, në kundërshtim me parimet e prokurimit publik, ka përdorur marrëveshjen kuadër si mjet prokurimi, në kundërshtim me qëllimin e saj sipas ligjit ‘Për Prokurimin Publik’ i ndryshuar. Por ligji në dorën e maliqit Gonxhe dhe Pogas u përdor si mjet për të rritur fondin limit në miliona euro dhe siguruar lidhjen e kontratave me afat 4-vjeçar në kundërshtim me ligjin e Prokurimit Publik por edhe VKM-në e vitit 2021”, tha Vangjeli.

Vangjeli citoi vendimin e Këshillit të Ministrave ku thuhet se : “Autoriteti/enti kontraktor nuk lidh kontrata shumëvjeçare për punë, mallra ose shërbime, për të cilat bëhen planifikim dhe përdorime vjetore, që gjenden lehtësisht në treg dhe mund të prokurohen normalisht”.

Sipas saj “vlerësimi i ofertave nuk u krye në zbatim të legjislacionit për prokurimin publik, pasi fituesit e paracaktuar u shpallën të tillë me ofertat e paraqitura pothuajse sa fondi limit”./m.m//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›