Trafiku në Tiranë, Merja: Problematike transporti publik dhe infrastruktura e pamjaftueshme

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Arla Merja reagoi sot për situatën e trafikut në Tiranë, të cilën e cilësoi si “një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen qytetarët sot”.
Përmes një deklarate për shtyp, Merja u shpreh se problematike është edhe gjendja e transportit publik.
“Trafiku sot nuk njeh më orar piku pasi si të dalësh në mëngjes, si në drekë, e si në darkë, do mbetesh i bllokuar në çdo rrugë të Tiranës. Transporti publik është një katastrofë e vërtetë. Qytetarët detyrohen të presin pafund nëpër stacione, urbanët, të cilët vijnë plot e për plot totalisht jashtë kapaciteteve të tyre. Kjo situatë sjell vonesa në lëvizje, stres për qytetarët dhe ndotje të ajrit, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës”, tha ajo.
Sipas saj, “një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë problem është infrastruktura e pamjaftueshme”.
“Buxheti i vitit 2024 parashikonte fondin për rrjetin rrugor, transportin, urbanistikën dhe shërbimet publike vendore në masën 12,2 miliard lekë. Nga kjo kuptojmë fare thjeshtë se kjo shifër mbeti thjesht një parashikim se për sa kohe jemi në këtë gjendje kuptohet që fondet e këtij viti që po lëmë pas, përfunduan në xhepat e oligarkëve dhe klientëve të qeverisë. Ndërkohë, buxheti i vitit 2025 për rrjetin rrugor, transportin, urbanistikën dhe shërbimet publike vendore ka planifikuar një fond prej 14,9 miliard lekësh”, tha ajo.
/m.m/a.f/