Tenderin e KQZ-së e fitonbashkëshorti i kryetares së KQZ-së!
Më datën 12 Gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon një tender për të shtypur dhe printuar rreth 20 mijë fletë votimi për zgjedhjet e pjesshme të datës 1 Shtator 2013, dy komuna Dardhas (Korçë) dhe Rrethina (Shkoder). Më datën 12 Gusht ora 12:00 hapen ofertat dhe fituese shpallet kompania Adel Co Deri këtu çdo gjë duket krejt normale dhe korrekte me procedurën por
Një kërkim më i hollësishëm në Qendrën Kombëtare të Biznesit nxjerr emrin e shtetasit Arjan Lleshi. Arjan Lleshi është bashkëshorti i Kryetares së KQZ-së Lefterije Lleshi. E habitshme është që faqet rozë të mediave kanë shkruar ca kohë më parë për një divorc të çiftit Lleshi, por kjo historia e tenderit e bën këtë divorc të bjerë ca erë. Madje, kërkesa për divorc mes tyre e bërë që vitin e kaluar rezulton e pezulluar në portalin e Gjykatës së Tiranës. Pra ata vazhdojnë ligjërisht të jenë bashkëshortë.
Adel Print
Në letra figuron emri i shtetasit Reshit Koni. Rezulton se ai është pronar aktual i Adel Co dhe Adel Print. Po kush është zoti Koni? Kompania Adel Print që me letra është në pronësi të Reshit Konit është krijuar nga vitin 2008. Nga kush? Duke lexuar historikun në QKR të kompanisë dokumentat zyrtare tregojnë se është krijuar pikërisht nga bashkëshorti i Lefterije Lleshit, zoti Arjan Lleshi. Në Qershor të vitit 2010 zoti Lleshi, bën papritur një kontratë mirëbesimi me shtetasin Reshit Koni duke i transferuar të gjitha kuotat Reshit Konit në përgjegjësi. (në kontratë shënohej se pronari i vërtetë i kuotave mbetej zoti Arjan Lleshi). Transferimi i përgjegjësisë ishte bërë vetëm për faktin se gruaja e tij, Lefterija ishte zgjedhur anëtare e KLD-së dhe duke u bazuar në ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit ai ia kalonte kuotat personit të besuar Reshit Koni. Ishte një kontratë që tregonte gjithçka, shkruhej e zezë mbi të bardhë se do të ishte Arjan Lleshi pronari i vërtetë, por për sa kohë Lefterije Lleshi do të mbante një pozicion të rëndësishëm publik, kompania do të vazhdonte të aplikonte për tenderë publik me fonde publike nën emrin e Reshit Konit.
Kjo kontratë nuk u kapërdi dhe aq lehtë nga Qendra e regjistrimit të Biznesit e cila e bllokoi atë dhe i detyroi dy aktorët e kësaj historie, Arjan Lleshi dhe Reshit Konin që të hiqnin dorë nga kontrata e mirëbesimit e lidhur në Qershor 2010 e që hapur fliste për një kalim fiktiv pronësie, duke i detyruar që në Dhjetor të vitit 2010 të lidhnin një kontratë ligjore të shitjes prej vërteti të aksioneve por duket se ekzistenca që në Qershor e kontratës së mirëbesimit u ka hapur punë dhe ka detyruar Qendrën e Regjistrit të Biznesit të vononte regjistrimin e transferimit total të aksioneve nga Arjan Lleshi, tek Reshit Koni. Është fakt se kompania Adel Print pas këtyre gjurmëve që ka lënë në QKR, nuk ka konkurruar më në tenderë publik, por përveç Adel Print, Reshit Koni tashmë rezulton dhe pronar i kompanisë Adel Co e cila është një tjetër kompani dhe që është tejet aktive në prokurimet publike.
Pa u lodhur shumë me marifete dokumentacioni, është e qartë që pas kompanisë qëndron pikërisht shtetasi Arjan Lleshi, bashkëshorti i kryetares së KQZ-së Lefterije Lleshi. Tenderin e fundit kjo kompani e fitoi në KQZ. Shuma e fituar është modeste krahasuar me tendera të tjerë, por është e mjaftueshme për të treguar se trekëndëshi Lefterije-Arjan-Reshit, kanë vendosur të mos u bjerë asnjë qindarkë në tokë.
Arjan dhe Lefterije Lleshi, të divorcuarit e padivorcuar!
Para se të zgjidhej kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mediat rozë njoftuan papritur se Lefterije Lleshit i është kërkuar divorc nga bashkëshorti i saj. Përmes një padie, bashkëshorti i saj, Arjan Lleshi i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës zgjidhjen e martesës me Lefterije Lleshin. Padia në fjalë është depozituar më 7 korrik 2012 në kryesekretarinë e Gjykatës. Por çështja e divorcit është pushuar nga gjykata në seancën e parë të shqyrtimit, më 19 shtator 2012. Në padinë e depozituar në Gjykatë bashkëshorti kërkonte zgjidhjen e martesës, si edhe lënien e dy fëmijëve të ardhur në jetë prej saj, bashkëshortes Lleshi. Nuk dihet pse ka ndodhur ky pushim i çështjes, por fakt është që Arjan e Lefterie Lleshi pavarësisht asaj që kanë dashur të përçojnë në publik nëpërmjet faqeve rozë, ligjërisht janë ende të martuar.
Marrë nga DITA
