Tenis Serena Uilliams dhe Azarenka ne finale ne Katar

Do të jetë një finale mes dy më të mirave në botë aktualisht. Serena Uilliams arriti një tjetër fitore ndaj Maria Sharapovës në turneun e tenisit në Doha të Katarit, duke festuar në mënyrën e duhur rikthimin si numri 1 në botë.
Tenistja amerikane, e fuqishme si shpeshherë, nuk pati probleme përballë ruses elegante duke i marrë setet mjaft lehtë: 6-3 e 6-2. Kjo ishte fitorja e 10-të radhazi për Serenën ndaj Sharapovës.
Përballë do të ketë Viktoria Azarenkën, ish-numrin 1 që tani është 2-shi. Bjellorusja fitoi edhe ajo pa probleme, 2-0 me sete ndaj Agnieska Radvanskës së Polonisë, 6-3 e 6-3. Serena është favorite.
Për meshkujt, Rafael Nadal vazhdon rrugën e rikthimit drejt majës duke dalë në finalen e turneut të Sao Paulos në Brazil. Spanjolli fitoi jo aq lehtë, 2-1 ndaj argjentinasit Martin Alund dhe me rezultatet e seteve 6-3, 6-7 e 6-1. Përballë Nadalit do të jetë argjentinasi tjetër, David Nalbandian që mundi 2-0 italianin Simone Boleli, 6-3 e 7-5.
Së fundi, në Holandë, francezi Zhylien Beneto shpreson të fitojë titullin e parë në karrierë. Ai kaloi patriotin e tij, Zhil Simon, duke e mundur 2-0 me sete, ndërsa në çerekfinale eleminoi Rozher Federerin.
Në finale në Roterdam do të jetë edhe argjentinasi Huan Martin Del Potro që kaloi me sukses bullgarin Grigor Dimitrov 2-0 me sete, 6-4 e 6-4. Del Potro është favorit për të fituar kupën.