Tension në Tregan, persona të paautorizuar në qendrën e votimi, ndërpritet procesi

Qendra e votimit nr. 2194, e vendosur në njësinë administrative Tregan, Bashkia Elbasan, është bllokuar nga komisionerët e djathtë, pas raportimeve për ndërhyrje të paligjshme në ambientet e saj.
Sipas burimeve nga terreni, disa persona të panjohur kanë hyrë brenda në qendrën e votimit, duke shkaktuar tension dhe ndërprerje të përkohshme të procesit. Komisionerët opozitarë kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të policisë për të rivendosur qetësinë dhe ligjshmërinë.
Për më tepër, është raportuar se kryeplaku i zonës, së bashku me disa persona të tjerë që nuk kanë asnjë funksion zyrtar në procesin zgjedhor, ndodhen rreth 10 metra pranë qendrës së votimit dhe refuzojnë të largohen, pavarësisht kërkesave të përsëritura.
Situata ka sjellë ndërprerjen e procesit të votimit, ndërsa pritet ndërhyrja e autoriteteve për normalizimin e gjendjes dhe garantimin e vijimësisë së procesit në përputhje me ligjin zgjedhor.
/vizionplus.tv