E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tensione për votat e diasporës, Celibashi: Kemi bllokim për qarkun e Korçës! Do marrim vendim për qarqet e tjera

Numërimi i votave të diasporës nga Greqia, ka krijuar tensione në Parkun Olimpik, pasi forca e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike i konteston këto vota, pasi pretendon se janë plotësuar nga persona të Partisë Socialiste.

Ky tension, ka krijuar bllokim të numërimit të qarkut të Korçës, vendim ky i marrë nga komisioni i administrimit të votave nga jashtë.

Por për qarqet e tjera, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se do të jetë KQZ ajo që do të marrë një vendim.

Ndërkohë, pyetur nga gazetarët në lidhje me kërkesën e PD-së që numërimi i votave të diasporës në Greqi të jetë veçmas nga ai i diasporës në vende të tjera, Celibashi u shpreh se këto vota nuk mund të trajtohen ndryshe nga të tjerat.

“Sikurse e kemi vërejtur, kemi filluar procesin e numërimit të votës së diasporës. Kemi filluar numërimin e fletëve të votimit për numëruesit që janë në regjistrim në qarkun Tiranë, Korçë, Kukës e Dibër.

Mesa duket mesazhet që përcollën në përfundim të procesit të votimit nuk kanë rezonuar shumë mirë për të gjithë. Jemi duke e vlerësuar këtë situatë. Kemi komunikuar me anëtarët e grupeve të numërimit dhe komisionit të administrimit të numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për të zgjidhur këtë situatë, sepse është në kompetencën e anëtarëve të grupit të numërimit për të vlerësuar çdo zarf e fletë votimi.

Nëse ata nuk marrin vendim, këtë vendim e merr komisionit i administrimit të votave nga jashtë. Duket që kemi të bllokuar situatën të paktën për qarkun e Korçës, do marrim një vendim në lidhje me këtë situatë. Jemi duke e vlerësuar dhe po bëjmë përpjekjet që procesi të ecë.

Nuk është mirë që përfaqësues politikë të angazhohen në procesin e numërimit.

Ndërhyrjet në proces janë të papranueshme. Për Korçën është finalizuar ky vendim. Do marrim vendim për të zgjidhur këtë situatë”, deklaroi Celibashi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›