E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tensionet në Bosnjë, SHBA kërcënon serbët me sanksione

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar sanksione sanksione kundër subjekteve që përpiqen të tërhiqen në mënyrë të njëanshme nga institucionet shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës, ose prishje të marrëveshjes. Deklarata ka ardhur nga sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, pas tensionimit të situatës në vend. Mesazhi duket se i është adresuar udhëheqësit serb të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili javët e fundit ka kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës. 

“Si dëshmitare nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, SHBA-ja përsërit se lëvizjet për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga institucionet e nivelit shtetëror ose për të destabilizuar Marrëveshjen, do të përballen me veprime të duhura, përfshirë marrjen në konsideratë të sanksioneve”, tha Blinken. 

Marrëveshja e Dejtonit ka krijuar dy entitete në Bosnje: Federatën Myslimano-Kroate dhe Republikën Sërpska.Vendi qeveriset dhe administrohet sipas linjave etnike, të përcaktuara nga Marrëveshja, dhe ka një qeveri qendrore, e cila shpesh është jofunksionale.Dodik, përfaqësuesi serb në Presidencë, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror, duke përfshirë gjyqësorin, ushtrinë dhe administratën tatimore të Bosnjës. Në letrën e tij, Blinken tha se hapat për të minuar institucionet e Bosnjës, do të rrezikonin jo vetëm perspektivën evropiane të vendit, por do të dëmtonin edhe stabilitetin rajonal dhe ekonominë e brishtë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›