E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tensionet në veri të Kosovës/ Kreu i KFOR: Pa ndërhyrjen tonë, do ishte kthyer në vatër lufte! Prej dy vitesh, vetëm hapa prapa

“Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ombrella nën të cilën mund të strehohesh pas veprimeve të njëanshme që prishin ekuilibrat shumë të pasigurt”. Kështu ka deklaruar Komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia në një intervistë për CorriereDella Sera. Sipas tij, mund të ishte shkaktuar një masakër në veri të Kosovës, nëse nuk do të kishin ndërhyrë ushtarët e KFOR.

Ai e konsideroi të gabuar vendimin e qeverisë për vendosjen e kryetarëve të komunave në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë.

“Vendimi i kryeministrit kosovar Albin Kurti për të vendosur kryetarë komunash me përkatësi etnike shqiptare të pa njohur nga shumica serbe, pa marrë parasysh këshillat e kundërta të gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Veprimi i dytë i njëanshëm i qeverisë së Prishtinës ishte përdorimi i forcës pa u konsultuar me ne, duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen tonë për të shmangur një tragjedi. Këto janë vendime të marra pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh. Kjo është një qasje që sigurisht nuk nxit besimin e ndërsjellë. Ne gjithmonë duhet të vlerësojmë pasojat e dëmshme që kanë këto lloj veprimesh.”, tha ai.

Edhe më i ashpër ishte Komandanti i KFOR, kur tha se pa misionin e NATO-s, veriu i Kosovës do të ishte tani një vatër tjetër lufte.

“Kosova e Veriut, pa misionin e NATO-s, do të ishte një tjetër vatër lufte. Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash të grumbulluara me kalimin e kohës. Le ta quajmë një destabilitet të kontrolluar, i cili megjithatë po bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve mes dy grupeve etnike dhe kushdo që i përfaqëson ato. Çdo balancë e arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt”, deklaroi Angelo Michele Ristuccia.

I pyetur nëse mungon vullneti politik si në Kosovë dhe Serbi për të qetësuar situatën, Komandanti i KFOR tha se që prej vitit 2021 janë bërë vetëm hapa pas, duke bërë thirrje që t’i jepet fund veprimeve të njëanshme.

“Në njëzet vitet e fundit janë arritur rezultate të rëndësishme. Edhe në kushtet e bashkëjetesës paqësore. Por duke filluar nga viti 2021, vetëm hapa prapa. Për shkak të polarizimit ekstrem të disa fakteve, të shfrytëzuara nga të gjitha palët e përfshira në emër të politikave ekstremiste, të cilat kanë cenuar stabilitetin mes dy grupeve etnike”, u shpreh ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›