“Veriu”/ Rama: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet para se BE të marrë masa të forta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas thirrjes së Bashkimit Evropian drejtuar Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në veri. Duke iu referuar deklaratës së shefit të politikës së Jashtme Joseph Borrell se situata në veri duhet zgjidhur sa më parë dhe se duhet të mbahen zgjedhje të reja, kreu i qeverisë shqiptare thekson se Bashkimi Evropian nuk mund të ishte më i qartë se kaq.
Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Rama shkruan se vijimi i kësaj situate absurd si në radhët e Prishtinës, ashtu edhe në radhët e Beogradit zyrtar, duhet të marrë fund, pasi sipas Ramës, ajo është vetëshkatërruese dhe aspak evropiane.
“BE-ja nuk mund të ishte më e qartë! Vazhdimi i kësaj situate absurde duke vendosur policinë që të mbrojë ndërtesat bosh në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetëshkatërruese dhe më pak evropiane”, shkruan Rama në Twitter.
Rama shkruan gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të ulin tensionet para se Bashkimi Evropian të marrë masat e forta ndaj tyre të paralajmëruara ditën e sotme.
Ndërkaq, më herët, Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar të Kosovës, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
Në një deklaratë të lëshuar nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut dënohen “aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se blloku qëndron fuqishëm në mbështetje të misionit të NATO-s dhe atij të BE-së për sundimin e ligjit në përmbushjen e mandateve të tyre.
Bashkimi Evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, dhe demokraci për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Kjo përfshin fillimin pa vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell.
/rtsh.al/