Tensionet në veri të Kosovës/ Serbët në protestë, Policia e Kosovës: Ruani qetësinë

Me pankarta në duar “Kurti, Kosova nuk është territori juaj, kjo është toka e stërgjyshërve tanë”, serbët në veri të Kosovës janë mbledhur sërish këtë të enjte në shenjë proteste siç ata pretendojnë kundër “kërcënimeve të kryeministri Kurti”. Protestuesit të cilët janë mbledhur në Radarë, komuna e Zveçanit kanë kërkuar lirimin e Dejan Pantiqit dhe qytetarëve të tjerë serbë, të cilët u arrestuan nga policia e Kosovës. Protestës i janë bashkuar edhe zyrtarët e Listës Serbe, madje janë duke i prirë protestës.
Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe mos të bien pre e provokimeve për shkak të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim.
“Angazhimet policore në forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës.
Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Ndërkohë, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, ka njoftuar se është duke monitoruar situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, duke shprehur gadishmëri në varësi të vijimit të ngjarjes.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ky i fundit dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
/rtsh.al/