Vuçiç: Furnizimi i Kosovës me dronë Bayraktar do të ndikonte në marrëdhënien Serbi-Turqi

“Furnizimi i Kosovës me dronë Bayraktar do të ndikonte në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë”, kështu ka deklaruar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistës për TV Pink nga Azerbajxhani ku dhe po qëndron për vizitë.
“Kur turqit thonë se do t’i japin dronët më të mirë Prishtinës, edhe pse ne e respektojmë presidentin Erdogan, sigurisht që do të ndikojë në marrëdhëniet tona”, theksoi Vuçiç ndërsa shtoi se edhe Serbia do të furnizohet me dronë dhe avionë të tjerë, nga muaji maj.
“Në të njëjtën kohë, ata nuk kanë të drejtë t’i armatosin, sipas ligjit ndërkombëtar. Deri në maj, ne do të jemi në gjendje të mburremi me disa dronë më të fuqishëm dhe avionë të tjerë. Natyrisht që na duhet, sepse pa të do të na gëlltitnin”, deklaroi presidenti serb.
Shqipëria firmosi një ditë më parë marrëveshjen me Turqinë ku fillimisht vendi ynë do të marrë 3 dronë Bayraktar me bazë ajrore në bazën e Kuçovës dhe më pas do të vijojë me zgjerimin e flotës.
/rtsh.al/