Tentoi të vrasë 4 njerëzit që i rrahën vëllanë, dënohet me 18 vjet burg
TIRANË- Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet iu deshën 15 seanca gjyqësore për tu bindur se i pandehuri i komunitetit rom, tashmë i shpallur në kërkim, Bledar Jaupij, është autori i tentativës së vrasjes së katër personave dhe për ta dënuar atë me 18 vite heqje lirie. Ishte treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona, të cilët pasi dëgjuan pretendimet e mbrojtjes dhe prokurorit të çështjes, vendosen të deklarojnë fajtor të pandehurin, duke dënuar me masën e dënimit të kërkuar nga vetë prokurori. Sipas këtij vendimi, që Shekulli ka siguruar një kopje, mësohet se i pandehuri ka tentuar të vrasë me automatik, shtetasit F.Satka, K.Kundarxhi, S.Jorgji dhe M.Biba pasi këta të fundit kishin ushtruar dhunë fizike me sende të forta ndaj vëllait të tij.
Dosja
Nga shqyrtimi gjyqësor i provave materiale dhe shkencore të administruar në dosjen penale rezulton se i pandehuri Bledar Jaupij ka konsumuar veprat penale të Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë dhe Mbajtjes pa leje të armës luftarake. Këto vepra, i pandehuri i ka konsumuar më 29 Janar 2011, aty rreth orës 13:30 14:00, në rrugën Sitki Çiço, ku me armën luftarake të tipit Kallashnikov, të cilën e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasit F.Satka, K.Kundarxhi, S.Jorgji dhe M.Biba. Të katër të dëmtuarit, në momentin që i pandehuri ka qëlluar me armë në drejtim të tyre për ti vrarë, kanë qenë duke hyrë në makinën me targa TR 1326 N. Por, fatmirësisht asnjë nga plumbat e shkrepur drejt tyre nuk i ka prekur, duke sjell vetëm dëmtime të makinës. Dy nga plumbat e armës luftarake që ka përdorur i pandehuri Bledar Jaupij kanë dëmtuar xhamin e parë të automjetit si dhe llamarinën e saj me drejtim të kokës së personit që ndodhej brenda në automjet. Gjithashtu, njëri nga këto dy plumba ka dëmtuar dhe mbështetësen e kokës së sediljes së pasagjerit (në vendin ku ka qenë i ulur dëmtuari F.Satka,- thuhet në vendimin e firmosur nga tre gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Arsyeja
Gjithçka, sipas vendimit, ka ardhur pasi një debati verbal mes të dëmtuarit F.Satka dhe të pandehurit Bledar Jaupij dhe vëllait të këtij të fundit. Konflikti ka ndodhur në rrugën Sitki Çiço, ku i dëmtuari po kalonte ma makinën e tij. Pas debateve në rrugë, i dëmtuari Satka është larguar dhe ka takuar shokët e tij, K.Kundraxhiu, S.Jorgji e M.Biba. Gjatë bisedës, Satka u ka treguar shokëve se kishte pasur një konflikt me disa persona. Të katër shokët, janë nisur me makinën me targa TR 1326 N në drejtim të banesës së të pandehurit Jaupij për të sqaruar konfliktin, pasi banesën ia dinte i dëmtuari S.Jorgji, i cili edhe i njihte.
Me të mbërritur në afërsi të banesës së të pandehurit, katër shokët kanë debatuar sërish më vëllanë e të pandehurit, ku mes tyre ka filluar përplasja fizike me grusht dhe sende të forta, ku në sherr janë përfshirë edhe disa të njohur të të pandehurit që për momentin ndodhej brenda në banesë. Më pas, të gjithë personat e përfshirë janë ndarë nga ky konflikt, ku vëllai i të pandehurit ka hyrë në banesë duke i treguar vëllait të tij, Bledar Jaupit ndërsa katër shokët kanë hyrë në makinë për tu larguar. Në këtë moment, ka dal i pandehuri Jaupij, i cili mbante në dorë automatikun pa qytë, pa dorezë dhe me tre fishekë luftarakë brenda. Të tre plumbat i pandehuri i ka drejtuar në makinën ku ndodheshin të dëmtuarit, që për fat të mirë asnjëri nuk është lënduar-thuhet në vendim.
Plumbat
Drejtimi i qitjes me armë është nga jashtë-brenda dhe me kënd nga e majta në të djathtë (duke e parë automjetin nga përpara). Këto dëmtime konstatohen në xhamin e parë të automjetit, në kornizën e anës së djathtë të automjetit, në mbështetësen e kokës në sediljen e pasme dhe në parafangon e anës së djathtë të automjetit.
Makina
Në automjetin targë TR 1326 N konstatohen thyerje e xhamit të pasmë; thyerje të xhamit të sinjalit të parë të krahut të djathtë; parakolpi i krahut të djathtë ka dy vrima tej-shpuese; llamarina është e dëmtuar dhe buzët e saj janë të kthyer nga brenda-jashtë; xhami i parë ka një vrimë tej-shpuese; mbështetësja e kokës në sediljen e pasme ka një vrimë tej-shpuese.
Çfarë kanë dëshmuar të dëmtuarit
F.Satka ka dëshmuar: Në momentin që unë me S. Jorgjin hipëm në makinë personi i armatosur ka qëlluar në drejtim të tonë. Unë kam qenë në vendin e pasmë.
S.Jorgji ndër të tjera ka dëshmuar: Më pas neve hipëm në makinë për të ikur kur në moment ka ardhur Bledari me armë në dorë dhe qëlloj makinën dhe ne në atë kohë kishim dalë dhe iknim me vrap. Unë ndodhesha brenda në automjet kur shtetasi Bledar Jaupij ka qëlluar me armën luftarake në drejtim të xhamit të makinës dhe njërin prej plumbave e kam ndjerë që ka kaluar shumë pranë anës së majtë të kokës sime
M. Biba, ndër të tjera ka dëshmuar: K. Kundraxhiu ka qenë duke ndezur makinën. Në vendin e parë ka qenë ulur F.Satka, në momentin kur i pandehuri ka qëlluar me armën luftarake në drejtim të makinës, ndërsa unë po tentoja të futesha brenda saj. Pasi Bledari ka qëlluar neve ikëm me vrap nga makina. Ai ka qëlluar në drejtim të makinës.
K.Kundraxhi ndër të tjera ka dëshmuar: Ndodhesha brenda në automjet dhe kur pashë që një person me automatik po afrohej kam dalë jashtë saj. Nuk mbaj mend se kush ishte në makinë. Unë ndodhesha brenda në automjet, S.Jorgji ishte në krahun e pasagjerit, ndërsa në sediljen e pasme ishte ulur F.Satka, kur personi me automatik ka qëlluar në drejtim tonë.
