Tentoi të vrasë me armë 20-vjeçarin në Dibër, policia në kërkim të 33-vjeçarit

Një 33-vjeçar në Dibër është vendosur në kërkim nga policia pasi tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas tjetër pas një konflikti për motive të dobëta.
Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim edhe 3 persona tjerë, pasi ndihmuan 33-vjeçarin të largohej pas ngjarjes.
Ndërkaq, është vendosur në pranga një 30-vjeçar, pasi bashkëpunoi me 3 shtetasit, për të ndihmuar 33-vjeçarin të largohej, duke e marrë në automjet.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit se në qytetin e Peshkopisë, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri një shtetas tjetër me të cilin ishte konfliktuar, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorit dhe për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit: A. A., 33 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale ‘Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë; K. A., 28 vjeç, I. B., 23 vjeç dhe Xh. K., 20 vjeç, të tre banues në Peshkopi, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, shtetasi me iniciale A. A., pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasin S. A., 20 vjeç, banues në Peshkopi.
Pas ngjarjes, shtetasi 30-vjeçari A. M. (tashmë i arrestuar), së bashku me shtetasit K. A., I. B. dhe Xh. K. (të shpallur në kërkim), kanë ndihmuar shtetasin A. A. që të largohej nga vendi i ngjarjes, duke e marrë në automjetin e tyre.
Ndërkaq, vijon krehja e zonës nga shërbimet e Policisë, me qëllim kapjen e shtetasit A. A. dhe të 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
/rtsh.al/