E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë të grabisin me uniformë policie, në pranga dy të rinj

PERMET- Dy persona, njëri prej të cilëve me uniformë policie, tentojnë të grabisin lokalin. Policia bëri të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës në qytetin e Këlcyrës. Enrik Serani, 30 vjeç dhe Rigert Isufaj, 22 vjeç, të dy nga Këlcyra e Përmetit, ndërmorën tentativën për të grabitur të hollat që gjendeshin në arkën e një lokali dhe benzinatoje, në të hyrë të qytetit. Një telefonatë e kryer në sallën operative të policisë së Përmetit, vuri në lëvizje specialistët e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit të Policisë së Rrethit dhe në bashkëpunim me patrullat e Përgjithshme të Policisë së Rendit, ndërmorën veprime për zbulimin e autorëve të kësaj grabitjeje. Në të gjithë aksin rrugor Gjirokastër-Përmet dhe Për-met-Çarshovë, u ngritën postblloqe, ndërkohë që në vendngjarje grupi hetimor u njoh me provat. Sipas deklarimeve të rojës së lokalit, autorët, njëri prej të cilëve i veshur një uniformë policie të vjetër dhe tjetri me një daltë dhe thikë në dorë, tentuan të shpërthenin portën e pasme të lokalit për ta grabitur. Pasi kanë dëmtuar bravën e portës, u diktuan prej rojës së pikës së karburantit dhe lokalit. Në këtë moment, ai u hodh në sulm për të mbrojtur pronën, duke u përleshur fizikisht me ta. Roja arriti të shmangte grabitjen. Disa orë më vonë, policia e Përmetit, mbi bazën e informacioneve të marra nga terreni, ka zbuluar autorësinë e ngjarjes, duke arrestuar më pas autorët. Njëri prej të arrestuarve, Enrik Serani, rezulton të ketë qenë tri herë i dënuar më parë për vjedhje dyqani në Këlcyrë e Tiranë, si dhe për trafik droge në Greqi. Nga kontrolli i ushtruar përreth objektit, u arrit të gjendeshin uniforma e policisë, si dhe një daltë, sende këto, të përdorura në aksionin për tentativë grabitjeje. Isufaj dhe Serani, të gjendur para fakteve të pakundërshtueshme të servirura nga grupi hetimor, pranuan autorësinë.                     p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›