E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, shumë raste gripale por më të lehta, mjekët: Vaksinimi ka zbutur sezonin

Vaksina e gripit ka dhënë rezultate pozitive këtë sezon në Tepelenë.

Sipas autoriteteve shëndetësore, numri i rasteve gripale është më i ulët krahasuar me vitet e kaluara, duke treguar ndikimin e imunizimit në mbrojtjen e qytetarëve.

Nga njësia vendore e kujdesit shëndetësor në këtë qytet bëhet me dije se fushatat e vaksinimit kanë ndihmuar në reduktimin e shtrimeve në spital dhe komplikacioneve të gripit. Specialistët rekomandojnë që edhe gjatë muajve të ardhshëm, qytetarët të vijojnë të imunizohen për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të familjeve.

“Në këtë moment është piku i situatës së gripit dhe kemi shumë raste të reja që janë me gjendje virale dhe vazhdojnë me temperaturë deri në 39. Kjo temperaturë zgjat një javë deri në dhjetë ditë, e shoqëruar me kollë të thatë, dhimbje fyti dhe koke. Por shikojmë, në krahasim me vitet e tjera, është më e lehtë sepse është bërë vaksina e gripit në fund të tetorit.”

Në Tepelenë janë përdorur rreth 3,000 doza vaksine, duke arritur një mbulueshmëri prej 90% të popullsisë së synuar.

“Moshat më të prekura tani janë moshat fëmijërore, fëmijët e shkollave, të cilët duke qenë prezentë të gjithë bashkë e marrin nga njëri-tjetri.”

Gazetare:E. Domeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›