E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërbic, oficeri i lartë serb dënohet me burg për masakrën e Srebrenicës

Një ish-oficer i serbëve të Bosnjës është dënuar me 30 vjet burg në lidhje me masakrën e myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, në vitin 1995. Gjykata e Krimeve Boshnjake ka deklaruar se Miloard Trbic ka marrë pjesë në planifikimin, kapjen dhe ekzekutimin e shumë boshnjakëve, duke kryer kështu gjenocid. Në këtë masakër, që ishte më e rënda e ndodhur në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore, humbën jetën në mënyrë mizore 8000 boshnjakë djem dhe burra që u vranë gjatë një jave në Srebrenicë. Gjykata e Sarajevës ka dënuar tashmë një numër jo të vogël personash të përgjegjshëm për masakrën e sipërpërmendur për rolin që ata kanë pasur në to. Bëhet fjalë jo vetëm për masakrën e Srebrenicës, por edhe për masakra të tjera të përmasave më të vogla që kanë ndodhur gjatë viteve të luftës ndaj boshnjakëve. Për sa u takon vrasjeve të kësaj krahine, ato ishin ekzekutime të mirëfillta e gjakftohta që iu bënë 8000 burrave dhe djemve boshnjakë nga ana e forcave të serbëve të Bosnjës. Në këtë rast, turpi më i madh ra edhe mbi forcat paqeruajtëse holandeze që ndodheshin në këtë enklavë në emër të trupave paqeruajtëse të OKB-së. Gjithçka ndodhi para syve të tyre dhe ata nuk bënë as veprimin më të vogël për t‘i dhënë fund këtij gjenocidi me përmasa të jashtëzakonshme dhe të kryer brenda një kohe shumë të shkurtër e në mesin e Europës. Në korrik të vitit të kaluar, 7 serbo-boshnjakë u dënuan për gjenocid dhe u burgosën me 42 vjet për vrasjet. Rasti i fundit, sipas gjykatës, ka të bëjë me një person që ka qenë drejtpërsëdrejti prezent në seleksionimin dhe ekzekutimet e burrave dhe djemve boshnjakë. Më pas, i dënuari u përfshi edhe në varrosjen e viktimave në varret masive. Ndërkaq, i është caktuar data e gjykimit për një sërë akuzash dhe për rolin kryesor që pati në luftën e Bosnjës edhe ish-shefit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, që ndodhet aktualisht në Hagë. Gjyqi i tij do të nisë më 26 tetor dhe, ndër të tjera, Karaxhiç është i akuzuar edhe për vrasjet e Srebrenicës. Ndërkohë në Gjykatën e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi janë gjykuar pjesa më madhe e të arrestuarve për krimet e luftës në Bosnje. Megjithatë ekzekutori i këtyre krimeve, krye-ushtaraku e komandanti i ushtrisë Radko Mlladiç, ndodhet ende i lirë dhe është një nga pikat që mban peng Serbinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Për të si edhe për Karaxhiçin ekzistojnë shumë mendime se ai qëndron i fshehur në vende të ndryshme të Serbisë, madje edhe në Beograd, por deri më tani nuk ka asnjë lloj lajmi të saktë për vendndodhjen e tij. Gjenerali Mlladiç dhe ish-shefi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç kanë qenë ndër më të kërkuarit në botë që pas mbarimit të Luftës së Bosnjës me marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995. Ndërsa Karaxhiç ndodhet në Hagë i kapur pas një fshehjeje spektakolare e një jete me emër të rremë në mes të Beogradit, Mlladiç mbetet i lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›