E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërbuni, Dalipi dhe Canaj kandidatët për trajner

Nga Erion Saliu

Presidenti Petrit Syla pritet ta mbyllë këtë javë çështjen e trajnerit, ku më shumë shanse ka që të zgjidhet Edmond Dalipi

Gentian Stojku nuk do të jetë më trajner i Tërbunit, në krye të të cilit arriti një sukses të veçantë sezonin e fundit, duke i ngjitur pukjanët në Kategorinë e Parë si kampionë të së dytës, pa pësuar asnjë humbje.

Ai duket se nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Petrit Syla, edhe pse është takuar disa herë me të. Në këto kushte, presidenti i Tërbunit është duke menduar për një trajner tjetër. Për momentin mësohet se dy janë kandidatët, me të cilët presidenti Petrit Syla ka pasur kontakte ditët e fundit.

Njëri është Agim Canaj, trajneri i njohur, që ka drejtuar ekipe me emër në Superligë, duke filluar që nga Dinamo, për të vazhduar me Vllazninë, Besën, Bylisin, Shkumbinin, Lushnjën, Skënderbeun dhe Gramozin. Trajneri vlonjat ka bërë një bisedë paraprake me numrin 1 të pukjanëve, por nuk ka kthyer përgjigje.

Ai ka dashur pak kohë që ta shqyrtojë këtë variant, sepse ka edhe oferta të tjera. Kurse kandidati tjetër është Edmond Dalipi, i cili ka edhe shanset më të mëdha për të qenë në krye të pukjanëve sezonin e ardhshëm.

Eshtë një emër i njohur, jo vetëm për karrierën e tij të pasur futbollistike, por edhe sepse sezonin e fundit ka qenë në rolin e drejtorit teknik te Tërbuni. Presidenti Petrit Syla ka patur një bisedë kokë më kokë me Edmond Dalipin dhe i ka propozuar atij të marrë drejtimin e ekipit, nisur nga fakti se e njeh më mirë grupin e futbollistëve dhe ambientin.

Edhe Dalipi nuk ka kthyer përgjigje për momentin, por pritet që shumë shpejt të vendoset për trajnerin e ri të Tërbunit, sepse koha nuk pret. Pukjanët, duke qenë se sezonin e ri do të luajnë në Kategorinë e Parë, synojnë që të ndërtojnë një ekip pretendent, edhe pse rivaliteti është i madh, pasi në këtë kategori marrin pjesë emra si Partizani, Dinamo, Elbasani, Lushnja, Besëlidhja etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›