Bekim Kuli: Ende skam vendosur për të ardhmen
Futbollisti kavajas, i aktivizuar me blutë së fundi, shprehet se nuk do të nxitohet në lidhje me zgjedhjen e ekipit për sezonin 2012-2013
Futbollisti kavajas, Bekim Kuli, i cili ka qenë edhe kapiteni i Dinamos sezonin e fundit, tashmë është duke shijuar pushimet verore pranë familjes së tij. I kontaktuar nga Sporti shqiptar, ai ka bërë të ditur se nuk do të nxitohet për të vendosur për të ardhmen e tij.
Aktualisht, jam duke pushuar me familjen time. Ka qenë një kampionat i lodhshëm dhe shumë stresues. Më vjen keq për fatin e Dinamos. E kam thënë edhe më parë mendimin tim për shkatërrimin e bluve dhe nuk dua të përsërit fjalët e mia.
Të gjithëve na vjen keq, që Dinamo përfundoi në Kategorinë e Parë dhe shkaqet dihen nga të gjithë. Nuk dua të kujtoj nga Dinamo momentet e këqija, sepse e kam thënë gjithnjë se kemi pasur shumë probleme dhe nuk ka qenë e lehtë, edhe pse lojtarët kanë dhënë gjithnjë më të mirën e tyre.
Sa për për të ardhmen time, tani dua të qëndroj në qetësi. Më vonë do të vendos. Nuk dua të nxitohem. Kam disa kontakte paraprake, por ende asgjë konkrete. Merkatoja është e gjatë dhe e hapur, ndaj dhe nuk dua të marr një vendim të nxituar.
Dëshira ime do të ishte të isha pjesë e një skuadre pretendente, sepse sakrifikova shumë, duke qëndruar te Dinamo. Ky ekip do të mbetet gjithnjë në zemrën time, pasi aty kam kaluar çaste të paharrueshme. Në fillim fitimi i titullit kampion, kur kemi rivalizuar me Partizanin deri në javën e fundit.
Të gjithë e mbajnë mend finalen e 17 maj 2008. Shënova një gol me 11-metërsh në atë sfidë, por në fund mbetem me 2 lojtarë më pak, pasi unë dhe Pollozhani u ndëshkuam me karton të kuq. Ka qenë një moment tepër emocional.
Më pas goli i Ferrajt, që vulosi titullin kampion. Një festë e madhe, që vështirë se do të përsëritet. Ndërkohë, kam fituar edhe një tjetër titull me Dinamon më 2009-2010-ën. Arritëm ta mbyllim kampionatin shumë shpejt. Ishte diçka më e lehtë, por edhe ky kampionat ka pasur emocionet e tij.
Por tashmë këto histori i përkasin të shkuarës. Duhet të mendoj për të ardhmen. Siç po duken situatat, merkatoja do të jetë tepër e ndezur, sepse ka ekipe me synime serioze, që kërkojnë të ngrejnë një grup pretendent. Por çdo skuadër ka të drejtë të pretendojë, ndaj dhe do të jetë e pandalshme merkatoja, – citon Bekim Kuli.
Ndërkohë që në radhët e Dinamos, lidhur me çështjen e Ministrisë së Brendshme, gjërat mbeten ende pezull. Presidenca dinamovite po përgatit dosjen e radhës për tu përballur në seancën gjyqësore.
Sipas palës blu, më parë presidenti Besnik Sulaj ka fituar dy gjyqe ndaj kësaj ministrie. Tifozët blu, por edhe sportdashësit e tjerë, duhet të presin ende për të mësuar fatin e Dinamos, që për momentin duket në udhëkryq.
