E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tërhiqet nga morgu trupi i pajetë/ Fatos Nano ndërroi jetë në moshën 73 vjeçare

Tërhiqet nga morgu trupi i pajetë i ish liderit Fatos Nano.

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas problemeve kronike respiratore. Ai ishte i shtruar në spital që prej 8 tetorit.

Kush ishte Fatos Nano
Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë, në një familje të lidhur me artin dhe kulturën. I diplomuar për ekonomi politike në Universitetin e Tiranës, ai shfaqi herët ide për hapjen ekonomike dhe reformat demokratike në fundin e regjimit komunist.

Në vitin 1991, Nano u emërua kryeministër nga Ramiz Alia dhe më pas u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste, të cilën e transformoi nga një parti komuniste në një forcë moderne socialdemokrate dhe anëtare të Internacionales Socialiste.

Në 1993, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ai u arrestua dhe u dënua me 12 vite burg për shpërdorim detyre, por u shpall më vonë i pafajshëm. Nga burgu, Nano vijoi të udhëhiqte PS-në, duke u kthyer në politikë pas trazirave të vitit 1997, kur fitoi zgjedhjet dhe u bë sërish kryeministër.

Nano shërbeu disa herë në krye të qeverisë, duke punuar për stabilizimin e institucioneve dhe afrimin e Shqipërisë me BE dhe NATO. Ai ishte ndër të parët që promovoi kulturën e dorëheqjes në politikën shqiptare.

Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005 përballë Sali Berishës dhe më pas garës për drejtimin e PS-së me Edi Ramën, Nano u tërhoq përfundimisht nga politika, duke jetuar mes Tiranës dhe Vjenës.

Në jetën personale, ai u martua dy herë dhe la pas tre fëmijë. Fatos Nano do të mbetet në kujtesën politike të vendit si një reformator, liberal dhe figurë kyçe e tranzicionit demokratik të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›