E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmet 4.3 ballë pranë Pizës, lëkundje të forta në Toskanë, pezullohet qarkullimi i trenave

Një tërmet me magnitudë 4.3 goditi paraditen e së martës zonën mes Pizës dhe Lukës, në rajonin italian të Toskanës, duke shkaktuar panik te banorët dhe pezullimin e përkohshëm të qarkullimit hekurudhor.

Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), lëkundja u regjistrua në orën 10:15, me epiqendër rreth 7 kilometra nga Piza dhe në një thellësi prej 8 kilometrash. Tërmeti u ndje qartë edhe në zonat e Lukës, Massa Carrara, Versilias dhe provincën e Livornos.

Pas goditjes kryesore u regjistruan edhe dy pasgoditje, në orët 12:47 dhe 13:04, me magnitudë 2.3 dhe 3.2.

Kryebashkiaku i Pizës, Michele Conti, deklaroi se situata është nën kontroll, ndërsa deri tani nuk raportohen dëme në njerëz apo ndërtesa, megjithëse verifikimet vijojnë.

Autoritetet rajonale njoftuan se, si masë paraprake, janë kryer kontrolle teknike në disa struktura spitalore. Në spitalin Santa Chiara disa ambiente janë mbyllur përkohësisht për inspektime, ndërsa kontrolle po zhvillohen edhe në spitalin Cisanello. Nuk janë raportuar rreziqe për pacientët apo stafin mjekësor.

Për shkak të tërmetit, Trenitalia pezulloi përkohësisht qarkullimin e trenave në nyjën hekurudhore të Pizës për kontrolle të infrastrukturës. Si pasojë, shumë trena rajonalë dhe Intercity kanë regjistruar vonesa deri në 80 minuta, ndërsa disa udhëtime janë anuluar.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit vazhdojnë kontrollet në ndërtesat publike dhe private për të përjashtuar çdo rrezik të mundshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›