Ratifikimi i kredisë prej 302 mln dollarë për Shqipërinë nga SHBA, Ambasada amerikane: Mbështetje për përmbushjen e angazhimeve të mbrojtjes

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me ratifikimin e kredisë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se kjo kredi do të mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e angazhimeve të marra në fushën e mbrojtjes, përfshirë objektivin për rritjen e shpenzimeve ushtarake në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
“Sot, Shtetet e Bashkuara kanë kënaqësinë të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një kredie të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit Foreign Military Fund (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Angazhimit të Hagës për Mbrojtjen, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035“, thuhet në postimin e Ambasadës së SHBA-së.
Departamenti amerikan i shtetit, njoftoi ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë në kuadër të programit amerikan të financimit të ushtarak për vendet partnere. Sipas DASH, huaja do të mbështesë vendin tone në përmbushjen e shpenzimit të 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen deri në 2035.
/rtsh.al/