Tërmeti/ Armenia i shtrin dorën e miqësisë Turqisë, Cavusoglu: Tregoi bashkëpunim dhe solidaritet

Armenia i ka shtrirë “dorën e miqësisë” Turqisë pas tërmetit fatal të 6 shkurtit. Sipas Ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, Armenia ka treguar solidaritet dhe bashkëpunim në kohën e vështirë që po kalon Turqia.
“Armenia zgjati dorën e miqësisë në këtë kohë të vështirë dhe tregoi solidaritet dhe bashkëpunim“, tha Cavusoglu në një konferencë shtypi me homologun e tij armen Ararat Mirzoyan në Ankara.
Cavusoglu e konsideroi vizitën e Mirzoyan në Turqi si mjaft domethënëse për raportet mes dy vendeve. Duke vënë në dukje se Armenia dërgoi një ekip kërkimi dhe shpëtimi prej 28 personash në Turqi pas tërmeteve, Cavusoglu tha se përpjekjet e tyre kanë vazhduar në Adiyaman që nga 8 shkurti. “Ata dërguan 100 tonë ndihma humanitare dhe thanë se do të dërgonin ndihmë shtesë”, shtoi ai.
Mirzoyan, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e Armenisë për të ndërtuar paqen në këto kohë të vështira. Kryediplomati armen pritet të vizitojë më vonë Adiyaman, ku ekipi i kërkim-shpëtimit nga vendi i tij vazhdon të punojë.
Lëkundjet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë më 6 shkurt ishin të përqendruara në provincën Kahramanmaras dhe goditën nëntë provinca të tjera – Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye dhe Sanliurfa. Më shumë se 13 milionë njerëz në Turqi janë prekur nga tërmetet shkatërruese. Disa vende në rajon, përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet e forta që goditën në hapësirën e më pak se 10 orësh.
Raportet mes Turqisë dhe Armenisë janë të tensionuara që prej vrasjes masive dhe dëbimit të armenëve nga otomanët turq, në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Armenia insiston se masakra është gjenocid, por Turqia e refuzon një pretendim të tillë.
/rtsh.al/