E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tërmeti me 41 mijë viktima/ Stoltenberg: NATO do të dërgojë streha të përkohshme në Turqi

NATO planifikon të sigurojë strehim për mijëra persona që kanë mbetur në rrugë në Turqi, si pasojë e tërmeteve vdekjeprurëse të 6 shkurtit. Gjatë një konference për media me ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Ankara, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se NATO është duke ndërtuar streha të përkohshme dhe planifikon të dërgojë “dhjetëra mijëra tenda” në Turqi në ditët dhe javët në vijim.

“Kjo është kastrofa natyrore më vdekjeprurëse në territorin e aleancës prej kur është themeluar NATO-ja. NATO-ja do të përdorë kapacitetet e saj strategjike për të dërguar ndihmë”, tha Stoltenberg.

Ndër të tjera, Stloltenberg tha se ka ardhur koha për të ratifikuar hyrjen e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

“Ka ardhur koha për të ratifikuar hyrjen e Suedisë dhe Finlandës. Të dyja vendet kanë bërë përparime të mëdha pas takimit me Turqinë, shqetësimet e së cilës për çështjen e sigurisë janë legjitime.Qëndrimi im është se ato duhet të ratifikohen tani, por prioriteti nuk është që ato të ratifikohen së bashku“, tha ai, duke hapur mundësinë që Turqia së pari t’i japë dritën jeshile Finlandës pasi marrëdhëniet me Suedinë janë vënë në krizë, që nga demonstrata ku u dogj një Kuran në Stokholm.

Ndërkohë, Turqia është e hapur për anëtarësimin e Finlandës në NATO, ndërsa Suedia pret veprime më konkrete kundër terrorizmit dhe islamofobisë pas demonstratës në të cilën u dogj një Kuran në Stokholm.

Nga tërmetet mbi 7 shkallë të Rihterit, që kanë goditur Turqinë dhe Sirinë, kanë vdekur mbi 41.000 persona Vetëm në Turqi, më shumë se 50.000 ndërtesa janë shkatërruar apo dëmtuar rëndë, si pasojë e dridhjeve të tokës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›