E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti më i fuqishëm në 40 vjet godet Iranin

Gazeta Shqip

Lëkundja ndihet nga Lindja e Mesme në Indi, por epiqendra ishte në shkretëtirë me densitet të ulët popullsie

karaci evakuohetNjë tërmet me forcë 7.8 ballë i shkallës Righter goditi Iranin pranë kufirit me Pakistanin dje, ndërsa vala goditëse u ndie në një zonë të gjerë nga Lindja e Mesme deri në Indi.

Epiqendra e tërmetit ishte pranë qytetit juglindor të Khash, pranë me kufirin e Pakistanit. Zyrat u evakuuan në Karaçi, Dehli dhe në shtetet e Gjirit Persik. Ka raporte të kundërta mbi viktimat. Televizioni shtetëror i Iranit tha se së paku pesë njerëz kanë mbetur të vrarë. Televizioni mohoi raportimet e mëparshme që flisnin për mbi 40 të vdekur.

Së paku pesë njerëz vdiqën në Mashkel, në Pakistan, pranë kufirit me Iranin. Disa raporte thanë se mbi 20 njerëz kanë vdekur në këtë zonë.

Tërmeti goditi provincën Sistan Balukistan rreth orës 15.14 me orën lokale, pranë qyteteve të Khash, ku banojnë 180 mijë njerëz dhe Saravan, ku jetojnë 250 mijë njerëz.

Epiqendra e tërmetit gjendet në shkretëtirë dhe nuk ka qendra të populluara pranë. Nuk ka pasur viktima në qytezat përreth epiqendrës, njoftoi një zyrtar i qeverisë së Iranit.

Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit tha se pret dëme të kufizuara dhe pak të vdekur për shkak se tërmeti ishte kaq thellë. Shërbimi sizmologjik i Iranit vlerësoi se tronditja ka ndodhur 95 kilometra thellë.

Gjithsesi, një zyrtar pa emër i qeverisë iraniane i tha Reuters: Ky qe tërmeti më i madh në Iran në 40 vjet dhe ne presim qindra të vdekur. Komunikimi me rajonin e prekur është ndërprerë dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Iranit tha se po dërgon njëzet skuadra kërkim-shpëtimi me tre helikopterë në zonë. Sistan Balukistan është provinca më e madhe e Iranit dhe një nga zonat më të varfra.

Një anëtar i Parlamentit tha se kishte 1700 fshatra në zonë dhe shumica e ndërtesave janë prej balte. Shumë njerëz përreth fshatrave jetojnë në tenda, të cilat ndoshta mund të kufizojnë numrin e viktimave. Agjencia Fars raportoi se në Saravan nuk ka pasur dëme të rëndësishme.

Komunikimi me qytetin Mashkel në Pakistan, ku banojnë 45 mijë njerëz, është ndërprerë gjithashtu. Por punonjësit e ndihmave thanë se shumë shtëpi mendohet se janë dëmtuar apo shkatërruar.

Tërmeti i djeshëm ishte rreth 180 herë më i fortë për nga sasia e energjisë së çliruar se sa tërmeti 6.3 ballë që goditi më 10 prill pranë centralit bërthamor Bushehr. Ai tërmet vrau së paku 37 njerëz dhe plagosi 850 të tjerë. Një zyrtar i kompanisë ruse që ndërtoi termocentralin njoftoi se ai nuk është dëmtuar nga tërmeti.

Shkencëtarët thonë se tërmetet në juglindje të Iranit shkaktohen nga një përplasje mes pllakave tektonike të Arabisë dhe të Euroazisë. Pllaka e Arabisë po shtyn për nga veriu me disa centimetra në vit. Në vitin 2003, një tërmet 6.6 ballë të shkallës Righter shkatërroi qytetin e Bam dhe vrau së paku 26 mijë njerëz.

Tërmeti më i fuqishëm në 40 vjet godet Iranin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›