Tërmeti me magnitudë 7.4 trondit Kolumbinë, të paktën 111 viktima. Shpallet gjendja e emergjencës kombëtare, mbyllen 5 aeroporte

Të pakën 111 persona kanë humbur jetën, ndërsa bilanci pritet të rritet, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4, që goditi Kolumbinë perëndimore. Sipas presidentit Abelardo De La Espriella janë lënduar edhe 87 persona, ndërsa numri i viktimave dhe të plagosurve pritet të rritet.
Lëkundjet e forta shkaktuan dëme të konsiderueshme në disa zona, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja.
Tërmeti u regjistrua në orën 07:34 me orën lokale, në rajonin Chocó, me epiqendrën rreth 107 kilometra nën sipërfaqen e tokës, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Dridhjet u ndjenë në pjesë të mëdha të Kolumbisë, por edhe në vendet fqinje, përfshirë Venezuelën, Ekuadorin dhe Panamanë.
Ekipet e emergjencave dhe banorët janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe dëmeve mund të ndryshojë, pasi disa zona mbeten të vështira për t’u aksesuar.
Pas tërmetit, pesë aeroporte në Kolumbi janë mbyllur. Sipas autoritetit të aviacionit civil, aeroportet e Pereira-s, Manizales, Armenias, Cartago-s dhe Buenaventura-s po përdoren vetëm për fluturime mjekësore dhe qeveritare, ndërsa po kryhen vlerësimet për dëmet.
Në disa pjesë të vendit janë mbyllur edhe shkollat, ndërsa autoritetet vijojnë kontrollet për sigurinë e ndërtesave dhe infrastrukturës.
Pas tërmetit, qeveria kolumbiane ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare, duke mundësuar mobilizimin e burimeve shtesë për zonat e prekura.
Presidenti Abelardo de la Espriella ka thirrur komitetin e emergjencave, ndërsa ushtria ka nisur dërgimin e ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit në zonat ku nevojitet ndërhyrje.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Kolumbisë, ky është tërmeti më i fortë që ka goditur vendin në më shumë se një dekadë.
Tërmeti goditi Kolumbinë më pak se dy muaj pas tërmeteve të fuqishme që prekën Venezuelën, ku humbën jetën me mijëra persona.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë shkallën e plotë të katastrofës.
/rtsh.al/