Tërmeti në Indonezi, shkon në 162 numri i viktimave, shkatërrohen shtëpi, ndërtesa dhe rrugë

Ka shkuar në 162 numri i viktimave si pasojë e tërmetit që goditi Indonezinë, një ditë më parë. Ndërsa, më shumë se 300 njerëz u plagosën rëndë dhe të paktën 600 të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Shumë nga të vdekurit ishin nxënës të shkollave publike që kishin mbaruar mësimet e tyre për ditën dhe po merrnin mësime shtesë në shkollat islame kur ndërtesat u shembën. Në veriperëndim të Cianjur, tërmeti shkaktoi një rrëshqitje dheu që bllokoi rrugët dhe varrosi disa shtëpi.
Presidenti Joko Widodo vizitoi këtë të martë Cianjur, ku dhe shprehu mbështetjen dhe siguroi ndihmën e qeverisë.
“Në emër timin dhe në emër të qeverisë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat dhe familjet e tyre në këtë tërmet në Cianjur,” tha ai pasi vizitoi të mbijetuarit në strehimoret në një fushë futbolli.
Ai u zotua të rindërtojë infrastrukturën, duke përfshirë urën kryesore që lidh Cianjur-in me qytetet e tjera dhe të sigurojë ndihmën e qeverisë deri në 50 milionë rupiah (3,180 dollarë) për secilin banor, shtëpia e të cilit është dëmtuar.
Rreth 175,000 njerëz jetojnë në Cianjur, pjesë e një distrikti malor me të njëjtin emër me më shumë se 2.5 milionë banorë. Banorët e Cianjurit jetojnë kryesisht në qytete me ndërtesa një dhe dykatëshe dhe në shtëpi më të vogla në fshatrat përreth
Në shkurt, një tërmet me magnitudë 6.2 vrau të paktën 25 njerëz dhe plagosi më shumë se 460 në provincën e Sumatrës Perëndimore. Në janar 2021, një tërmet me magnitudë 6.2 vrau më shumë se 100 njerëz dhe plagosi rreth 6,500 në provincën e Sulawesi-t Perëndimor. Një tërmet i fuqishëm në Oqeanin Indian dhe cunami në vitin 2004 vranë 230,000 njerëz në një duzinë vendesh, shumica e tyre në Indonezi.
/rtsh.al/