E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmkolli kërkon prishjen e koalicionit PDK-LDK

Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Melihate Tërmkolli, kërkoi sot prishjen e koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe mbajtjen e zgjedhje të përgjithshme sivjet.

Tërmkolli, në një konferencë për media, tha se nuk ndihet pjesë e koalicionit që partia e saj ka me PDK-në. “Personalisht nuk ndihem në asnjë rast pjesë e kësaj politike, e cila është duke u zhvilluar që dy vite në Kosovë. Përndryshe, anëtarësia e LDK-së e ka treguar qartë se nuk do të jetë pjesë e këtij koalicioni. E ka treguar qartë pikërisht në zgjedhjet e fundit të vitit 2009. Unë mund të them se koalicioni duhet të ndërpritet menjëherë, absolutisht duhet të ndërpritet menjëherë”, ka thënë Tërmkolli, transmeton KosovaPress.

Tërmkolli theksoi se është një grup i ngushtë i njerëzve, i cili punon për interesa personale, kurse shtoi se nuk është në interes të Kosovës që t’i shërbehet PDK-së, një individi apo kryeministrit të Kosovës.

Drejtuesja e Forumit të Gruas së LDK-së shprehu pakënaqësinë me qeverisjen aktuale, ndërkaq kërkoi që sivjet të ketë zgjedhje të parakohshme, të cilat ajo i quajti “të pakohshme”.

“Zgjedhjet është dashur të mbahen menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sikur çdo kund në botë që me rastin e ndonjë prerje të madhe historike, çështja e parë që ndodh në atë shtet është mbajtja e zgjedhjeve për të legjitimuar një strukturë të caktuar, të cilën populli dhe qytetarët e kërkojnë për të udhëhequr shtetin”.

Duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Thaçi, i cili ka thënë se Prizreni është “Jerusalem për PDK-në”, Tërmkolli tha se papërgjegjësia e drejtuesve të institucioneve është e pashembulltë. Ajo e quajti këtë deklaratë të tmerrshme. “Kjo ringjallë mitet apo korrespondon me mitet e Serbisë për Kosovën, një alibi e politikës së dhunshme që ka ushtruar Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës për shekuj me radhë”, ka deklaruar Tërmkolli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›