E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhemajli: Gjilani me automatizëm në rivotim

Meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk arriti të vendosë për komunën e Gjilanit, kjo komunë do të duhej që me automatizëm të hynte në rivotim, thotë Zait Xhemajli, ish-kryetar i KQZ-së.

“Për mua është e pakuptimtë që të bëhen konsulta shtesë, për arsye se vendimi ose merret, ose nuk merret. Sipas mendimit tim, nuk ka vendim për certifikimin e rezultateve, andaj nuk e kuptoj se çfarë konsulta shtesë duhet të bëhen...A duhet tash të binden anëtarët e Komisionit që ta ndërrojnë mendimin e vet dhe ta ndërrojnë votën e tyre - për mua kjo është e pakuptimtë”, ka thënë Xhemajli, për Radion Evropa e Lirë.

KQZ në mungesë të 8 votave sa duheshin (pasi kryetarja Nesrin Lushta abstenoi) nuk mundi të miratojë raportin final për hetimin dhe rinumërimin e votave për Gjilanin nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, duke e lënë procesin pezull.

Rrugëdalja e vetme nga kjo situatë, sipas Xhemajlit, është respektimi i udhëzimit të 19 dhjetorit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili sugjeronte shpalljen e rivotimit për të tri komunat, pra Prizrenin, Lipjanin e Gjilanin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›