E Hënë, 2 Nëntor 2026

Termoizolimi i pallateve, nis puna në 2 pallate të tjerë në lagjen 17 të qytetit të Korçës

2 pallate të tjerë në lagjen 17 të qytetit të Korçës janë kthyer në kantier ndërtimi, për tërmoizolimin e tyre. Bëhet fjalë për 2 objekte kolektive të ndërtuara para viteve ’90 të pasuvatuar ku nuk janë bërë më parë ndërhyrje të jashtme për mirëmbajtjen e tij.

Bëhet fjalë për një degradim të fasadës së objektit, i cili vjen kryesisht nga kushtet atmosferike, prania e lagështirës, etj.

Burime në Drejtorinë e Urbanistikës në bashkinë Korçë bëjnë me dije se rikualifikimi konsiston në rritjen e performancës së energjisë së pallateve duke ndërhyrë në elementët e jashtëm përmes veshjes së fasadës me sistem kapot dhe kullimin e ujërave të shiut.

Sistemi i termoizolimit ka një përcjellshmëri shumë të ulët termike, qëndrueshmëri në formë, gjatë luhatjeve atmosferike dhe është një izolues akustik mjaft i mirë. Banorët shprehen të kënaqur për punën që ka nisur.

Gjithashtu do të realizohet zëvendësimi i ullukëve të vjetër dhe do të vendosen ullukë shkarkimi vertikal si dhe do të bëhet veshja e kornizës së pallatit me llamarinë për të mos lejuar depërtimin e lagështisë në fasadën e objektit

Gazetare: Geralda Sali

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›