“Territor i pastër”, asgjësohen bimë kanabis në Shkodër

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Në Shkodër po vijon me intensitet megaoperacioni “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të të cilit u asgjësuan 361 bimë kanabis.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit me patrulla tokësore dhe duke përdorur dronë për monitorim ajror, në njësinë Administrative Bërdicë, në fshatin Trush, kanë konstatuar se në mës të një parcele me misër ishin kultivuar bimë kanabis.
Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 67 vjeç, banues në fshatin Trush, i cili po kujdesej për 215 bimë narkotike, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Gjithashtu gjatë kontrollit të territorin me dron në njësinë administrative Pult u gjetën dhe u asgjësuan 146 bimë kanabis.
Policia po vijon punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale./m.m/