E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Territorialja/ PS: Bashkitë janë produktive, zonat rurale marrin shërbim! PD: Bashkitë diskriminohen

Komisioni për Reformën Territoriale ka nisur punën në sesionin e ri, ku nuk kanë munguar debatet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me funksionimin e bashkive. Teksa mazhoranca këmbëngul që bashkitë aktuale janë funksionale dhe zonat rurale marrin shërbime, në të njëjtin mendimin nuk është opozita, e cila thotë se bashkitë diskriminohen sipas oreksit të kryeministrit.

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu u shpreh se me Reformën aktuale territoriale përfaqësimi është realizuar dhe se çdo cep i territorit është e përfaqësuar jo vetëm me një, por edhe me dy apo tre persona në Këshillin Bashkiak.

“Nuk po merremi me problematikën, por halli është si do parcelizohet vendi. Me reformën territoriale është krijuar një situatë e re, që ka grupuar të gjitha komunat e bashkitë në një njësi të madhe. Përfaqësimi është realizuar, ndryshe nga sa kam dëgjuar në tavolina të ndryshme. Çdo njësi vendore, çdo cep i territorit është e përfaqësuar jo vetëm me një, por edhe me dy apo tre persona në Këshillin Bashkiak. Kjo vërtetohet vetëm duke parë vendbanimin e çdo anëtari të këshillit bashkiak. Nëse ka institucione që janë produktive në këtë shtet, janë bashkitë. Bashkitë kanë ulur borxhin 50%. Në Bashkinë Lezhë e mora me 4.6 mld të vjetra borxh, sot afro 1 miliardë. Nuk është e vërtetë që s’ka shërbime në zonat rurale, nëse ndodh është mungesa menaxheriale e kreut të bashkisë”, tha Ndreu.

Ndërsa deputeti i PD, Agron Kapllanaj tha se shumë bashki janë të diskriminuara për sa i përket ndarjes së granteve.

“Zona Fratarit në Mallakastër mund të ishte më vete. Bashkia jonë jo e madhe dhe e vogël, dhe territori është shumë i madh dhe jo çdo pjesë e aksesueshme. Sa i përket menaxhimit të financave, duhet të marrë fund preferenca e një kryeministri. Duhet të bëhet me një reformë në parlament se nuk mundet që Bashkia të mbetet në oreksin e një kryeministri apo qeverie, financoj apo jo unë. Kur kam drejtuar Mallakastrën, kam qenë i diskriminuar. Ja kam thënë edhe kryeministrit. Administrata të na thotë që ky projekt ka mangësi, ka probleme, le të ma thonë. Nuk më ka ardhur asnjë vërejtje për asnjë lloj projekti. Numri i punonjësve të bashkisë të jetë me ligj, jo me urdhër partie sipas oreksit gjatë fushatës zgjedhore. Shumë s’vijnë në punë dhe marrin rrogën e rrinë në shtëpi se kështu është interesi i partisë. Bëjmë dëm të madh jo vetëm tek financa e bashkisë, por edhe tek këta persona që mësohen me dembelizëm. Doja t’ju bëja një thirrje ju si përfaqësues politik, le të mos fillojmë debatet kush ka kërkuar Reformën, por të miratojmë një Reformë Territoriale ndër vite për të mirën e qytetarëve”, tha Kapllanaj.

Për Reformën Territoriale PD kërkon shtimin e numrit të bashkive, ndërsa PS zvogëlimin e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›