E Diel, 1 Nëntor 2026

Terroristët shqiptarë në Shkup, pensionistë e bujq

Nga arrestimet e shqiptarëve në Shkup

Ja profesionet. Familjet, të shokuara: Skemi lidhje në Afganistan e Pakistan.

Njëzet personat e arrestuar në operacionin Monstra të mëngjesit të së martës në Shkup, u dërguan dje në mesditë në Gjykatën Themelore nën akuzën e terrorizmit, të shoqëruar me forca të shumta policore dhe masa të rrepta sigurie. Ata do të merren në pyetje lidhur me akuzat që i ka ngritur policia për vrasjen e ndodhur më 12 prill në një zonë periferike, liqeni i Smilkofcës, në Shkup. Mes 20 shtetasve me përkatësi etnike shqiptare gjenden disa pensionistë, por edhe tre gra të reja dhe një e moshuar. Arrestimet e bujshme ndodhën nga policia dy javë pas krimit të pesëfishtë afër liqenit të Smilkovcës në Shkup, ku u ekzekutuan Kire Triçkovskit, Aleksandar Naqevskit, Filip Sllavkovskit dhe Cvetanço Acevskit, të moshës 18-20 vjet dhe 45-vjeçari Borçe Stefanovski.
Terrorizmi
Pritet që gjatë këtyre ditëve policia të sjellë më shumë detaje që do të mbështesin akuzat për lidhjen e të akuzuarve me celulat terroriste dhe trajnimet e tyre në Afganistan dhe Pakistan, ku sipas kreut të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gordana Jankullovska, disa prej personave kanë luftuar me talibanët kundër forcave të NATO-s. Kreu i MPB-së, Gordana Jankullovska tha se prej pesë personave ndaj të cilëve janë ngritur paditë për terrorizëm, dy gjenden në grupin e të arrestuarve, ndërsa dy të tjerë janë në arrati. Sipas saj, të gjithë të arrestuarit janë ithtarë të islamit radikal,  ndërsa ka sjellë në vëmendje se Maqedonia është një shënjestër potenciale e hakmarrjes së terroristëve. Aksioni i policisë u shtri në disa lagje të Shkupit, të banuara kryesisht me shqiptarë. Disa ditë më parë, më 22 prill, Kryeministri Nikolla Gruevski pati deklaruar se personat që kryen krimit janë të stërvitur shumë mirë dhe me motive shumë të larta, që nuk është parë ndonjëherë. Por, unë shpreh bindjen se ata do të kapen dhe do të përgjigjen për veprën mizore që bënë, vranë pesë njerëz të pafajshëm, të cilët besoj se nuk i kanë njohur e as që e kanë ditur se si quhen në momentin që i vranë, pati thënë Kryeministri Gruevski, gjë që është kontradiktore me profilet e të akuzuarve.
Reagimi i familjeve
Familjarët e të arrestuarve vazhdojnë të jenë ende në shok ngjarja e ndodhur dhe bastisjet e policisë. Shumë prej tyre pohojnë se nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me Pakistanin, Afganistanin, apo me aktivitete të ngjashme terroriste.
Të gjithë meshkujve na thanë të mos lëvizim, ne që jemi mbi 18 vjeç na vunë pranga dhe ashtu kemi qëndruar derisa ka zgjatur bastisja. Për 2-3 orë e kontrolluan gjithë shtëpinë, veturat që ndodhen këtu i morën të tre burrat e familjes dhe pastaj u qetësua situata, thanë se tani do të vazhdojnë procedurat. Na i morën kompjuterët, telefonat. Kërkuan edhe kafe me pi. Skishim çfarë të bënim, kush guxonte me u thënë jo. U çua nëna dhe u bëri kafe. Njëri polic bile edhe ka fjetur dy orë në sallon, se tha se ka qenë i lodhur dhe tërë natën pa gjumë, thotë një prej familjarëve të tre arrestuarve nga familja Haziri në lagjen e Shutkës.
Pensionistja
Një tjetër person i vendosur nën akuzën e terrorizmit është edhe Feride Bilalli, 60-vjeçare, nga fshati Hotël i komunës së Likovës, e cila për 15 vjet jeton e vetme, pasi dy djem të saj jetojnë në Zvicër dhe në Norvegji. Banorët e fshatit Hotël, por edhe ata të komunës së Likovës, kanë shprehur revoltën e tyre ndaj kësaj bastisjeje dhe arrestimin e gruas 60 vjeçe, ndërkohë që kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj.
Deklarata
Në bazë të provave materiale kemi arritur të vërtetojmë se një pjesë e anëtarëve të grupit janë ekzekutorët e katër të rinjve dhe 45-vjeçarit në Smilkovcë. Kundër pjesëtarëve të grupit do të ngrihen padi penale për kryerjen e veprës terrorizëm, deklaroi Jankullovska. Përveç Partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga partitë e tjera, apo edhe nga Bashkësia Islame.
Reagimi
Edhe pse mediat maqedonase gjatë ditës së djeshme u kanë kërkuar përfaqësive të huaja të përshëndesin aksionin, sot ka reaguar vetëm zyra e Bashkimit Europian në Shkup me një komunikatë tejet të rezervuar. Në të thuhet se ata vazhdojmë që ti ndjekin nga afër aktivitetet e policisë. Puna e institucioneve shtetërore është që ti kryejnë aktivitetet e tyre, pavarësisht nga përkatësia etnike apo fetare e viktimave dhe kryerësve. Mbetet të presim që organet gjyqësore të marrin vendime të drejta në afat kohor dhe të arsyeshëm, thuhet në fund të kumtesës së delegacionit të BE-së. Më pas reagoi edhe Ambasada Amerikane në Shkup.
Ngjarja e meparshme
Vrasja e pesëfishtë në afërsi të liqenit të Smilkovcit në prill të këtij viti nuk është krimi i vetëm i ndodhur në këtë rajon me përmasa kaq të mëdha. Në vitin 2002, në vendin e quajtur Vreshtat e Rashtakut, vend ky në afërsi të liqenit të Smilkovcit, u vranë edhe gjashtë pakistanezë dhe një indian. Ekzekutimi u krye nga njësitet policore të policisë, ndërkohë që atë kohë ish-ministri i Brendshëm Lube Boshkovski deklaroi se u vranë terroristët muxhahedinë, për të cilët supozohej se kanë ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare dhe se kanë planifikuar sulme ndaj ambasadave të huaja në Maqedoni, në veçanti ndaj asaj amerikane. Policia kishte vëzhguar njerëzit që dyshoheshin për lidhje me Al Kaedën dhe rebelët etnikë shqiptarë, për ti parandaluar ata nga kryerja e sulmeve kundër Ambasadës Britanike, asaj Amerikane dhe Gjermane…, pati thënë Boshkovski, duke u munduar të fitonte simpatinë e ndërkombëtarëve. Megjithatë, më shumë se dy vite më vonë, pasardhësi i Boshkovskit, Hari Kostov, para deputetëve në Parlament akuzoi se në fakt pakistanezët ishin emigrantë dhe jo terroristë, dhe se krimi ishte kryer nga njësia speciale Luanët vetëm për të pretenduar se po luftojnë terrorizmin islamik në vend.

Profili
Disa nga të arrestuarit

FEJZI AZIRI
50 vjeç, lagjja Shutkë
Bujk

QANI AZIRI
64 vjeç, lagjja Shutkë
Zdrukthëtar i pensionuar

HAKI AZIRI
32 vjeç, lagjja Shutkë
Shofer kamioni

MERVAN MEMETI
32 vjeç, lagjja Seravë
Pronar i një librarie fetare

RAMI XHAVITI
24 vjeç, lagjja Haraçinë
Automekanik

ISNI ASANI
34 vjeç, lagjja Haraçinë
Taksist

XHELAL ZENDELI
26 vjeçar, lagjja Gazi Babë
I punësuar në kompani private

SUMEJA HASIPI
20 vjeçe, lagjja Hasanbeg
Shtëpiake

FATI HASIPI
24-vjeçar, lagjja Hasanbeg
Shitës në tregun e shumicës

FUAT HASIPI
26, vjeç lagjja Hasanbeg
Mjeshtër ndërtimtarie

BESIM HAJDARI
24 vjeçar, Shkup
Berber

Reagimi i SHBA
Ne po ndjekim nga afër detajet rreth arrestimeve dhe hetimeve që vazhdojnë, siç shpjegoi ministrja e Punëve të Brendshme në konferencat për shtyp të 1 dhe 2 majit. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën me kujdes dhe, ashtu si edhe më parë, ftojmë të gjithë qytetarët të mbeten të qetë dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor. Është me rëndësi që të gjithë të dyshuarit për këto vrasje të tmerrshme, pa marrë parasysh identitetin apo përkatësinë e tyre etnike e fetare, të kenë proces të drejtë me qëllim që të sigurohet që në fund drejtësia të fitojë, thuhet në kumtesën e Ambasadës

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›