Tetori Rozë, Koçiu në Lushnjë: Çdo muaj, mundësi për mamografi falas

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në kuadër të Tetorit Rozë, në një takim me gratë dhe vajzat e qytetit të Lushnjës, përsëriti apelin për rëndësinë e kontrolleve periodike.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Koçiu, shkruan se vetëm një ekzaminim i rregullt mund të ndihmojë të zbulohen sëmundjet në kohë dhe të merret trajtimi i duhur.
Po ashtu ministrja bëri me dije se çdo muaj një çdo qark të Shqipërisë do të ofrohet mundësia për të kryer mamografi falas dhe pa nevojën për referim nga mjeku.
“Kanceri është një betejë që mund të fitohet përmes parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm. Prandaj, mos prisni! Kujdesuni për shëndetin tuaj sepse ia vlen të jetosh”- shkruan ministrja.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas. /j.p/