“Tetori Rozë”, Meta prezanton programin e Partisë së Lirisë për Shëndetësinë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Partia e Lirisë organizoi sot një tryezë me temë “Tetori Rozë”, për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave në parandalimin e sëmundjeve kancerogjene.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se “për fat të keq kemi një bilanc sterrë për sa u takon rezultateve parandaluese, në radhë të parë dhe diagnostifikuese dhe shëruese”.
“Është një muaj që na kujton se gjithë vitin duhet të jemi në një fushatë masive dhe energjike sensibilizimi në veprim për të rritur ndërgjegjësimin, për të mbështetur gratë dhe për të promovuar në veçanti zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Është jetike për çdo grua dhe çdo nënë që të kujdeset për veten, duke bërë mamografinë, e cila shpëton jetë”, tha ai.
Duke folur për situatën e sistemit shëndetësor, Meta tha se “shëndetësia, si asnjëherë në historinë e saj, sot nuk ka më asnjë orientim strategjik, ekzekutiv apo legjislativ që t’i përgjigjet sfidave të përditshmërisë”.
“‘Shëndetësia falas’ rezultoi një mashtrim i madh dhe i pabesë, aq sa thonë është falas deri sa hyn tek dera e spitalit, pastaj ndryshon situata. Pasojat e saj janë shkatërrimtare për sistemin dhe sidomos për shërbimin publik, por edhe për shëndetin e jetën e qytetarëve, edhe këtë e tregoi më së miri skandali i fundit tek Onkologjiku”, tha ai.
Meta theksoi se janë mbi 6 mijë raste të reja me sëmundje tumorale që regjistrohen çdo vit në vend.
“Pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ishte 11.7% dhe në 2 vitet e tjera ra gati në 7.5%, pra në vend që të rritej, përkundrazi ajo pësoi një rënie të dukshme. Nevojat për ilaçe në QSUT janë 4 herë më të larta sesa buxheti që miratohet për këtë qëllim. Mungojnë në mënyrë të vazhdueshme barnat antitumorale në Onkologji dhe në Onkopediatri, por edhe në shërbime te tjera. Është dramatik dhe kriminal fakti që të sëmurëve me tumore u fillohet terapia dhe më pas u ndërpritet për shkak të mungesës së barnave”, tha ai.
Meta theksoi se për Partinë e Lirisë, “shëndetësia është një prioritet madhor ndaj dhe PL angazhohet të rrisë shpenzimet për shëndetësinë në mesataren e rajonit në nivelin 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sot janë më pak se 2.9%, nuk ka asnjë vend në rajonin tonë që ta ket poshtë 4.5%, vendet e tjera e kanë 5-6%”.
Meta tha se “kjo gjithashtu kërkon dyfishimin e pagave të mjekëve dhe infermierëve duke i dhënë fund largimit dramatik të tyre nga vendi”.
“Ne do të sigurojmë pasurimin e tregut të barnave me shumë më tepër ilaçe sesa aktualisht, si dhe t’i japim goditje asgjësuese kontrabandës, duke krijuar të gjithë premisat për rikthimin e kompanive farmaceutike prestigjioze brand-name në Shqipëri, të cilat u larguan këto 11 vite. Të konsolidojmë dhe zbatojmë Sistemin e Referimit për t’i dhënë fund kaosit, radhëve shumë të gjata dhe pritjes me muaj të tërë të pacientëve si dhe korrupsionit që gjeneron ky kaos”, tha ai.
Meta theksoi se “PL do të bllokojë të gjitha koncesionet korruptive në shëndetësi, shumica e të cilave janë nën hetim, që rrëmbejnë taksat e shqiptarëve dhe nuk u japin atyre asnjë shërbim”.
“Ringritje e shërbimit cilësor të Mjekut të Familjes dhe Shërbimit Parësor në tërësi. Të kryejmë hartimin e Planveprimeve për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve me vdekshmëri të lartë, sëmundjet e zemrës dhe tumorët në vecanti, të shoqëruara me Plan-Financimin e çdo etape. Ne kemi një program shumë të qartë si Parti e Lirisë, atë të 5 prioriteteve për 4 milionë shqiptarë plus dhe ky është një program tërësisht i financueshëm sikurse e kemi shpjeguar edhe më parë”, tha ai.
/m.m/r.e/